Shkruan: Ismail Bardhi
Zoti urdhëroi Xhibrilin a.s. që t’ia ofrojë njeriut të parë dhe profet i parë, Ademit a.s., tri dhurata për ta zgjedhur njërën prej tyre, para se ta braktisë jetën e bekuar në Xhennet: dhuratën e intelektit/njohjen; dhuratën e fesë/virtytin dhe dhuratën e turpit/moralin. Si duket lloji njerëzor është duke i humbur të gjitha këto dhurata të Zotit, përndryshe nuk është e mundur që të mos kihet respekt as ndaj të vdekurve.
Pak më parë një shok ma përcolli një informatë nga një shok tjetër, se dijetari i madh Hafiz Ali Korça paskësh qenë i varrosur në një “fshat” (apo paralagje, pak rëndësi ka) të Kavajës. Kjo gjithsesi nuk është bërë me dëshirën e tij, por ka qenë pasojë e internimit të tij. Me gjuhën tonë “demokratike” këtë e ka bërë regjimi i Enver Hoxhës, ose komunizmi shqiptar. Deri këtu ka mundësi disi ta kuptojmë këtë mosrespekt ndaj këtij dijetari dhe këtë dënim të këtij lloji, sepse komunizmi “pa njerëz”, apo shqiptarët “pa njerëzi” asokohe e paskan dënuar atë kësisoj. Por, e gjithë kjo mesele nuk përfunduaka me kaq, sepse së fundmi qenka bërë rivarrosja e eshtrave të tij në varrezat e qytetit të Kavajës, në shenjë “respekti” ndaj këtij njeriu të madh. Faktikisht, këtu as që bëhet fjalë për ndonjë nderim, por me sa duket zhvarrosja dhe rivarrosja janë bërë për arsye se pranë varrit të të ndjerit, do të filluaka ndonjë ndërtim “made in Albania”.
Tani, dikush edhe mund të thotë: çfarë dëshiron të thuash me këtë, ato janë thjesht eshtra, kur në shumë vise të hapësirës shqiptare janë duke u shkatërruar objekte, monumente të një trashëgimie të paçmuar!? Po…, është e vërtetë, dhe e gjithë kjo është shumë e dhimbshme. Në atë burg të paparë, për çdo ditë kam dëshiruar që e gjithë kjo të merr fund, por për fat të keq nuk jam duke ia parë fundin. Edhe këto shkatërrime të monumenteve, duke filluar që nga muret e lashta apo vendbanimet antike, kalatë, kishat, xhamitë, shtëpitë e vjetra monumentale, e madje edhe qytete të tëra; të gjitha janë duke u zhdukur nga dita në ditë. Sa interesante është thënia e mësipërme për atë dhuratën e parë që i është dhuruar njeriut të parë – njohja, të cilën e pranoi profeti i parë Ademi a.s., si adem, si njeri, ndërsa ne si duket jemi duke jetuar pa njohje, pa ndërgjegje, pa vetëdije, pa dije… Por, kjo nuk është e lehtë, ngaqë do të thotë se ne jemi duke jetuar “pa njeri”, sepse të gjitha këto shkatërrime, këto tmerre nuk kanë mundësi t’i ndodhin një populli që pretendon se i takon një qytetërimi dhe një kulture të lashtë. E ku është kultura, ku është lashtësia…?!?
Këtu do t’i rikthej pak kujtimet e mia, apo më saktë ato për vizitat që ia kam bërë Shqipërisë në fillimet e “demokracisë”, kur Shqipërinë e gjeta tamam të dënuar, të zbrazët nga gjithçka; por edhe kohëve të fundit kur ajo është mbushur përplot: me makina, me reklama e ndryshme, e të mos flas për ndërtimet dhe zhurmën e madhe, ngulfatëse. Asokohe Shqipëria ishte përlot dhimbje, dëshpërim dhe shpresë, kurse sot është përplot frikë dhe vdekje. Në njërin nga udhëtimet e parë që bëra e vizitova Kavajën, dhe këtu do ta përmend vetëm vizitën që, bashkë me një hoxhë të Shkupit, rahmetli hafiz Idrizin dhe me Adnanin, ia bëmë një hoxhe me propozim të Hasan Shkrelit nga Kavaja. Kështu, i shkuam për vizitë hoxhës Xhafer Shkodra, i cili tashmë ka ndërruar jetë, në shtëpinë e tij, ku ai na priti me plot respekt, ngjashëm me traditat e vjetra “primitive” edhe të familjeve tona këtu në Shkup, por me një frymë të një kulture fetare, tradicionale, e ngjyrosur me edukatë dhe turp familjar. Rahmetli Xhafer Shkodra, i cili kishte qenë po ashtu i përndjekur nga SHIK-u i regjimit komunist, na rrëfeu për vuajtjet, për burgosjet e dijetarëve, të cilëve sot ua kemi harruar edhe emrat, e për një numër të madh të tyre nuk dihet as ku prehen. Por, teksa fliste për dijetarët, alimët e mëdhenj të fesë islame, si Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu etj., etj., ai shfaqte një respekt dhe nderim të jashtëzakonshëm për ta, duke i përshkruar si dijetarë të mëdhenj, me një kulturë shumë të gjerë, të cilët kanë lënë gjurmë të thella, por të cilët “këta dushmanët ateistë shqiptarë i dënuan dhe i vranë; … mua nuk më vranë, por ku fati të kisha qenë me ta, sepse jetën e kisha tmerr, nën një kontroll të paparë; në kooperativat e shtetit ku punonim “vullnetarisht” bëhej kontroll se kush është bërë synet, kush agjëron, dhe pastaj fillonte ndëshkimi”.
Rahmetli Xhafer Shkodra, Zoti e mëshiroftë, ishte i apasionuar ndaj Hafiz Ali Korçës, dhe, sipas fjalëve të atij shokut nga Tirana që ma lajmëroi për këtë rastin që u bë shkas për këtë shkrim, ngaqë e ka ditur se ku ka qenë i varrosur Hafiz Aliu, rregullisht e paska vizituar varrin e tij në atë që unë e quaj fshat jashtë qytetit të Kavajës, natyrisht sipas traditës islame. Dhe ja “koincidenca” që pasi u vendos që eshtrat e atij dijetari të madh, natyrisht me bekimin dhe me nismën e “zyrtarëve fetarë islamë”, të rivarrosen në varrezat e qytetit, ai u varros pranë varrit të, tashmë, të ndjerit Xhafer Shkodra. (Nga ajo që kam dëgjuar, edhe në kohën e komunizmit autoritetet paskan dëshiruar t’i zhvendosin eshtrat e Hafiz Ali Korçës, sepse në plan ka qenë që aty të bëhej një fidanishte, por ja që asaj që nuk ia arritën ta bëjnë komunistët, e bënë “demokratët”). Tani, nëse më pyetni se a është rivarrosja e ndaluar, haram, sipas fesë më duhet të them – jo, nuk është; por, sidoqoftë, ky është një lloj dënimi, ose thënë me fjalën e hadithit të mësipërm që Xhibrili a.s. me urdhrin e Zotit ia dërgon njeriut – adem, dhuratën e njohjes, ai me pranimin e kësaj dhurate i “humb” edhe njohjen, edhe fenë, edhe turpin. Ja, këtu qëndron problemi, sepse nuk mund të jetohet pa njohje, pa fe, dhe pa turp.
Bota moderne gjërave të tilla nuk mund t’iu përgjigjet, përpos që këtë mendësi, këtë mënyrë veprimi e ballafaqon me departamentet e psikiatrisë, dhe ata që bëjnë gjëra të tilla i dënon me dënime shumë të ashpra. Por, meqenëse në hapësirën tonë përplot “demokraci”, përplot “liri”, përplot “zhurmë”, nuk kanë mbetur as reparte të psikiatrisë, nuk e di se ku ka mundësi t’i gjendet vendi kësaj mendësie të trishtueshme dhe të dhimbshme me një ardhmëri tepër të zbrazët të atyre që nuk tregojnë respekt as ndaj eshtrave të të vdekurve. Në shumë vende të botës kultet fetare, respektivisht xhamitë, kishat, varrezat – nuk preken; madje rrugë të tëra devijohen vetëm që të mos shqetësohen si të gjallët, ashtu edhe ata që prehen në ato varreza, e te ne kjo ndodh mu për hir të qejfit fetar, apo atij zyrtar, ku mashtrohen familjarët nga fjalët e mëdha se kinse: “nuk dëshirojmë ta shohim të madhin Hafiz Ali Korça në ‘fshat’, por dëshirojmë ta kemi atë në ‘qytet’”.
Diku qëndron faji, por kryesorja është se ne nuk kemi më kohë të merremi, ose të kërkojmë se kush është fajtori; një njeri, një popull, një shtëpi, një qytet, një shtet nuk mund të jetojë pa e respektuar të shenjtën, pa e respektuar edhe të vdekurin. Si duket kjo mënyrë veprimi është bërë dënim edhe i kulturës sonë, saqë këto ligësi janë bërë domosdoshmëri për “ekzistimin” tonë, thuajse ne pa këtë shkatërrim, pa këtë tmerr nuk mund të ekzistojmë – ja ky është dënimi. Ne Islamin, Krishterimin, Judaizmin i kemi dhuratë nga meleku që i përcjell dhuratat e Zotit; dhuratë më të madhe se fenë nuk ka mundësi askush të dhurojë, pa marrë parasysh fjalën poetike se duhen lënë kisha e xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria. Po, por shqiptaria duhet ta kuptojë se nuk mund të jetojë si “njeri”, duke e refuzuar, larguar, kundërshtuar, nënçmuar, përbuzur fenë dhe kulturën shpirtërore e materiale. Feja e shqiptarit është feja që i është dhuruar njeriut, tjetër dhuratë ne nuk kemi. Prandaj, përballë dukurive të këtilla çdo heshtje do të ishte dënim dhe padrejtësi, ose ndryshe do të ishte zhvarrosje dhe rivarrosje e eshtrave nga “fshati” në qytet.
Shkup, 14 gusht 2017