Natën e vitit të ri, një shkrimtar i njohur u ul në tavolinën e tij të punës. Me një ndjenjë të pashmangshme reflektimi, ai mori penën dhe nisi të shkruante disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që i kishin ndodhur gjatë atij viti.
Filloi me operacionin në tëmth, pas të cilit kishte ndejtur në shtrat për disa muaj. Pastaj, shënoi që kishte mbushur gjashtëdhjetë vjeç dhe ishte detyruar të largohej nga profesioni i tij në shtëpinë botuese, ku kishte punuar me dashuri e përkushtim për tridhjetë vite. Nuk harroi të përshkruante dhimbjen e humbjes së babait dhe zhgënjimin që biri i tij nuk kishte mundur të niste studimet në fakultetin e mjekësisë, për shkak të një aksidenti të rëndë automobilistik.
Në fund të faqes, ai shkroi me ngarkesë emocionale: “Ah çfarë viti i mbrapsht!”
E shoqja, që e kishte vënë re të menduar, hyri në dhomën e tij. Duke u ulur pranë tij dhe pa thënë asnjë fjalë, lexoi shkrimin e tij. Pasi e përfundoi, doli qetësisht nga dhoma. Pas disa minutash, u kthye me një letër në dorë dhe e vendosi pranë asaj të burrit.
Shkrimtari e mori letrën dhe filloi ta lexonte:
Këtë vit që po na lë:
- U shërova nga dhimbjet e tëmthit, prej të cilave kisha vuajtur për vite të tëra.
- Mbushja e gjashtëdhjetë viteve më gjeti me shëndet të plotë, dhe dalja në pension më mundëson që të përkushtohem plotësisht krijimtarisë sime dhe librave të rinj.
- Im atë jetoi një jetë të gjatë, plot 85 vite, dhe u nda nga kjo botë paqësisht, pa vuajtje.
- Djali ynë shpëtoi pa pasoja nga aksidenti automobilistik dhe u shërua shpejt.”
Në fund, letra përfundonte me fjalët: “Ah çfarë viti i bukur, ku fatbardhësia triumfoi ndaj fatkeqësive!”
Shkrimtari ndjeu një valë të ngrohtë në zemër. E kuptoi se gjithçka varet nga përceptimi dhe që, në vend që të numërojmë fatkeqësitë, duhet të ndalemi për të falënderuar për bekimet dhe mësimet që na japin ato.
“Vetëm një minutë,” mendoi ai, “kaq duhej për të ndryshuar gjithçka. Vetëm një minutë për të parë anën e ndritur të jetës.”