“E kam thënë publikisht në vitet e nëntëdhjeta, e jo sot, se Maqedonia do konsolidohet si shtet vetëm atëherë kur nuk do ketë nevojë për parti etnike dhe kur edhe maqedonasit, e jo vetëm shqiptarët, do anëtarësohen e do votojnë për partitë shqiptare! Me vite kam punuar për afirmimin e konceptit shumetnik e shumkulturor, që më në fund ta kuptoj se elitat maqedonase, atë e kuptojnë si relacion mes vëllait të ‘madh e të mirë’ ( lexo maqedonasit), që duhet të kujdesen për ‘vëllai e vogël’ (lexo shqiptarët) dhe se sipas tyre, multietnicizëm është kur shqiptari merr pjesë në protestat ‘laramane’maqedonase, e jo kur maqedonasi merr pjesë në ato ‘Kuq e Zi’!? Pastaj unë njoh shqiptarë që kanë përkrahur e votuar parti maqedonase, por edhe si njeri që shoqërohet me maqedonas, që shkruan dhe flet në gjuhën maqedonase njësoj si në atë amtaren, ende nuk kam takuar maqedonas që ka votuar për parti shqiptare! Dhe e di se BDI-ja është ajo që e promovoi dhe e afirmoi mendësinë se ‘heroizmi’ dhe ‘patriotizmi’ i shqiptarëve të Maqedonisë, duhet matur nëpërmjet përkrahjes që ata ia japin VMRO-DPMNE-së apo LSDM-së maqedonase, njësoj siç e di se në vazhdën e kësaj mendësie, sot zhvillohet loja politike që ka për qëllim t’i bindë partitë e reja opozitare shqiptare, e kryesisht Lëvizjen Besa, se jo ato, por LSDM-ja është opozita e vërteta e shqiptarëve të Maqedonisë dhe se asaj duhet t’i bashkohen të gjitha ata që duan ta luftojnë regjimin famëkeq DPMNE-BDI!? Ku ta dish, mbase edhe mund të jetë ashtu, por megjithatë nuk mund t’i iket një pyetjeje logjike: vallë e kaluara, apo e sotmja e saj, LSDM-në e dëshmojnë si parti më të fortë dhe më të favorshme për të mirën dhe për opozitarizmin e shqiptarëve të Maqedonisë!”, – ka shkruar shkrimtari Kim Mehmeti në FB.