Nga Xhevdet Pozhari
Në Kosovë nëse flitet për vajzat me mbulesën Islame, ato mbesin peng i vendimeve që thirren në shtetin laik. Por, Qeveria Haradinaj ka standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për konfesionin tjetër fetar. Madje edhe i stimulon. Mjafton që ambalazhin ta kenë “laik”.
Pater Alex Bodefeld, drejtor i gjimnazit Loyola, njëkohësisht edhe prift, ka arsye t’i gëzohet 659 mijë eurove që i ka ndarë Ministria e Arsimit me vendim të kryeministrit për këtë institucion arsimor privat ku thuhet se nuk mungojnë as motrat e nderit!
Imagjinoni sikur me këtë shumë të përkrahej ndonjë shkollë “laike” e udhëhequr nga Shefqet Krasniqi! Do kallej këtuha me komente e analiza. Do t’i dilte rendi me e ngrit zërin edhe Mihrijes e Naimit! Të gjithë do të viheshim në mbrotje të laicizmit. Sidomos ata që nuk ia kanë as idenë nocionit “laik”.
Nga 659 mijë euro të kësaj shume, 308,858.54 euro shkojnë për rimburësimin e pagave të bashkëpunëtorëve të këtij gjimnazi, 300,000 euro të tjera shkojnë për themelimin dhe funksionalizimin e shkollës së lartë profesionale “Loyola Profesional”, ndërsa 50,000 euro të tjera për shpenzime vjetore të kësaj shkolle prej vitit 2019!
Por, çka janë 659 mijë euro për kryeministrin, sidomos kur dihet se shumica e institucioneve publike nuk i kanë as kushtet elementare për kabinete.