Mijra besimtarë i janë drejtuar xhamive dhe shesheve për t’u bërë pjesë e lutjeve dhe faljes së namazit të Kurban Bajramit, festë e cila është një nga festat më të mëdha të fesë islame.
Besimtarë të shumtë në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë këtë mëngjes kanë pjesë në faljen e namazit të Kurban Bajramit, raporton AA, shkruan InfoShqip.
Mijra besimtarë i janë drejtuar xhamive dhe shesheve për t’u bërë pjesë e lutjeve dhe faljes së namazit të Kurban Bajramit, festë e cila është një nga festat më të mëdha të fesë islame.
Besimtarët muslimanë të Maqedonisë që në orët e hershme të mëngjesit vërshuan xhamitë për të falur fillimisht namazin e sabahut dhe më pastaj atë të Kurban Bajramit.
Manifestimi qendror nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI) u mbajtë në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup, ku përveç numrit të madh të besimtarëve, të pranishëm ishin edhe kryeministri Zoran Zaev dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi.
Në hytben e Bajramit të cilën në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, e lexoi një nxënës i medresesë “Isa Beu” në Shkup, theksi u vendos te paqja dhe harmonia në këtë ditë festive.
“Ju ftoj ti gëzoheni kësaj feste, kësaj dite e cila shënon vullnetin dhe gatishmërinë tonë për të sakrifikuar në emër të krijuesit tonë, Allahut fuqiplotë”, u tha mes tjerash në mesazhin e Rexhepi.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ju uroj Kurban Bajramin me shpresë se edhe Bajrami i ardhëshëm do të na gjej të bashkuar në rrugën e drejtë dhe në rrugën e Zotit”, tha kryeparlamentari Xhaferi në urimin e tij.
Kryeministri Zoran Zaev i pranishëm në xhaminë qendrore në Shkup, tha se veçoritë e Kurban Bajramit si një festë e solidaritetit, familjes dhe ndihmës së ndërsjellë, e bëjnë këtë festë të madhe.
“Pikërisht nga respekti për këtë festë të madhe, jam këtu pranë jush, me besimtarët në mënyrë që ta zgjerojmë edhe më tutje bukurinë e tij. Unë besoj se në shpirtin e humanizmit dhe miqësisë do të qëndrojmë të bashkuar dhe si të tillë ta ndërtojmë Republikën e Maqedonisë si një shoqëri për të gjithë”, tha kryeministri Zaev.
Edhe besimtarët muslimanë në Shqipëri kanë falur sot namazin e Kurban Bajramit. Ata janë mbledhur së bashku në xhamitë e vendit, ndërsa pjesë e tyre janë bërë edhe klerikët muslimanë, por edhe personalitete të fushave të ndryshme.
Qindra besimtarë janë mbledhur në pedonalen e qytetit të Kavajës për të falur namazin e Bajramit, ku për shkak të numrit të lartë kanë qëndruar jashtë ambienteve të Xhamisë “Kubelie”.
Edhe në xhamitë e tjera të Shqipërisë në prani të madhe të besimtarëve muslimanë u fal Kurban Bajrami, ndërsa gjatë ditës ata të cilët kanë blerë kurban, do të bëjnë therjen e tij.
Ndërkohë mijëra besimtarë muslmanë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të falur namazin e Kurban Bajramit.
Ndërkohë edhe besimtarët e Kosovës mbushën xhamitë për ta falur namazin e Kurban Bajramit.
Qytetarë të shumtë të Prizrenit sot u mblodhën në xhaminë e Sinan Pashës, e cila ndodhet në qendër të qytetit.
Ndërkaq, manifestimi qendror i faljes së Kurban Bajramit u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, e cila u mbush me qytetarë të shumtë brenda dhe jashtë saj.
Kryeimaimi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, i cili mbajti hytben e Kurban Bajramit theksoi rëndësinë e kryerjes së haxhit si dhe të flijimit të kurbaneve.
“Prerja e kurbanit synim kryesor ka humanizmin e njeriut, pastrimin dhe edukimin e tij shpirtëror, si dhe begatimin e tij me vlera e aspirata të larta”, tha Bajgora.
Ndërkaq, duke theksuar se bota po vlon nga konfliktet e armatosura të cilat po shkaktojnë vdekje të njerëzve të pafajshëm, tmerr, dhunë dhe dëbim nga vatrat e tyre, Bajgora theksoi se, “Islami si fe hyjnore në vete bart mesazhin e paqes universale dhe si parim bazë ka formimin e një shoqërie të shëndoshë, dinjitoze e humane me vlera të larta morale”.
Sot besimtarë muslimanë kremtojnë Kurban Bajramin. Simboli i festës së Kurban Bajramit është prerja e kurbanit, në përputhjeve me rregullat islame. Mishi i kurbanit u ndahet të varfërve, fqinjëve dhe familjes.
Rituali i kësaj feste fillon me faljen e namazit të Bajramit herët në xhami, pastaj vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke përfunduar me vizitat tek të afërmit, fqinjët, shokët dhe miqtë./InfoShqip.com