Ne mburremi me të, por Skenderbeu do të turpërohej nga ne!

Nga: Xhevdet Pozhari

Nëse Gjergj Kastrioti – Skenderbeu do të jetonte në këtë shekull, do të turpërohej me shqiptarët që kanë mbetur me mendësi në shekullin kur jetoi dhe veproi ai.

Në thelb, kontributi i tij dhe i shumë heronjve kombëtar ishte fuqizimi i kombit shqiptarë. Ai dhe të tjerët, vepruan më rrethanat dhe me mjetet që i impononte koha atëherë dhe dikur. Nuk është larg mendsh se do të shashtisej sikur ta dinte se 5 shekuj më vonë, këtu dhe tani, shqiptarët ende do të thirreshin në lavdinë e shpatës së tij, e ndërkohë nuk do të kishin as ushtri të mirëqenë dhe do të jetonin në shtete që janë në fund të pusit për nga zhvillimi ekonomik.

Skenderbeu ishte strateg i lindur, njeri largpamës. Nëse do të jetonte në këtë kohë, nuk është larg mendsh se ai do të ishte në krye të një ushtrie më të fortë në Ballkan.

“Shpata e tij” sot, këtu dhe tani, nuk do të vrigëllonte kurrë ndaj një shteti ku jetojnë 5 milionë shqiptarë. Kurrë nuk do ta priste trungun kombëtar dhe të rrezikonte zhdukjen e shqiptarëve që kanë mbetur jashtë trojeve të tkurrura të shqiptarisë.

Është viti 2058! Shumica nga ne që frymojmë sot jemi shndërruar në kujtim të pasardhësve tanë! Ende ndjehen pasojat e injorancës që na mbuloi në dekadat e para të këtij shekulli. Pasojat e kohëve kur armiqtë ia arritën të na ndajnë në baza fetare. Dy vëllezër nuk mund të jenë nga besime të ndryshme! Hartat e Ballkanit janë përfunduar. Pa luftë. Me marrëveshje midis prijësve që përçajnë popull dhe tkurrin komb. Shqiptarët vazhdojnë të brohorasin emrin e Gjergj Kastriotit. Skenderbeu është zhdukur, bashkë me shqiptarët e Turqisë dhe shqiptarët e Maqedonisë. Edhe atëherë, edhe tani, ata që vepruan për këtë komb nuk është larg mendsh që rrotullohen në varr nga mallkimi që asessi shqiptarët të arrijnë ta kuptojnë se secili njeri me dy fije mend, e jeton kalendarin e kohës së vet.

Është viti 2058! Koha kur luftrat do të bëhen për ujë të pijshëm. Shqiptarët kanë nevojë për ujin e Gazivodës… etjen e tyre s’do ta shuaj as lavdia e as turpi i askujt!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu