Në Shqipëri nuk mund të bëhesh as hajdut pa pëlqimin e Kryeministrit

Nga: Kim Mehmeti

Thuajse të gjithë e dinë se në Shqipëri nuk mund të bëhesh as hajdut pa pëlqimin e Kryeministrit, por ecë e thuaje këtë publikisht kur e dinë se do të vërsulen me dhjetëra portale e media që i ‘redakton’ kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Në Shqipëri të gjithë e dinë se properëndimorja e ‘Rilindësve’ është proporcionale me mos ndjeshmërinë e tyre ndaj shqiptarisë, por rrallëkush e thotë këtë publikisht ngaqë e dinë se diplomatët e huaj janë ata që e mbrojnë Kryeministrin e Shqipërisë dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës nga shqiptarët.

Të gjithë gazetarët e Shqipërisë e dinë se po tregove publikisht se kush është pronari i vërtet i djegësit të Tiranës të djegin të gjallë mediat pro qeveritare, siç e dinë se në Shqipëri e vërteta të vret e të varfëron, ndërkaq gënjeshtrat të majmin dhe aq shumë të pasurojnë sa të kesh lekë që për çdo dalje televizive të blesh tesha të reja firmato që kushtojnë sa paga vjetore e një kameramani.

Po pra, i madh e i vogël e dinë se e vërteta në Shqipëri e ka më keq se sikur të ishte e ndaluar me ligj, ngaqë kështu, të lënë në duart e gënjeshtarëve, atë e vrasin mbrojtësit e saj të ‘Rilindjes’.

Në Shqipëri pra janë të pafund të vërtetat që i dinë të gjithë, e të cilat rrallëkush i thotë publikisht, por jo vetëm pse atje çdo gjë është në duart e hajdutëve të ‘Rilindjes’, por pse është pakësuar numri i atyre që e kanë kuptuar se gënjeshtarët e pushtetshëm e çnjerëzojnë shoqërinë, e lajmësit e guximshëm të të vërtetave e forcojnë boshtin e saj njerëzorë.

Pa dyshim se në mëmëdhe çdokush e dinë se as shtetet e popujve më të prapambetur të Afrikës nuk do pranonin që me kushtetutë, sistemin e drejtësisë – pra shtyllën bartëse të shtetit – t’ua përcaktonin e t’ua mbikëqyrnin të huajt, por rrallëkush guxon ta thotë këtë të vërtetë ngaqë e dinë se në Shqipëri, edhe pas reformimit të drejtësisë, nuk vendosë ligji por ‘maliqi’.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu