Sot është 8 marsi dita e gruas. Disa gra në Shkup, sot nuk kanë zgjedhur për të festuar, por vendosën që të marshojnë në shenjë revolte, pasi siç thonë gratë janë të anashkaluara. Ato paralajmëruan se do të punojnë edhe për përpilimin e një ligji të ri me anë të së cilit femrat vetë do të mund të vendosin për trupin e tyre.
Organizatorja e marshit, Shefka Iliq, tha se 30 mijë femra mbeten të anashkaluara nga vendet e punës dhe nga vendet udhëheqëse të institucioneve shtetërore. Ajo shtoi se në vitin 2018 kemi më së shumti vdekje të lehonave, dhe sipas saj fajtor kryesor nuk janë femrat por sistemi shëndetësor katastrofal.
Ajo u ankua se 80 % femra rome paguajnë kontrolle gjinekologjike edhe pse ajo duhet të jetë falas. Nderkohe shtoi se ato do të luftojnë për ligj të ri me të cilin vetëm gruaja do të mund të vendos për trupin e saj. Gratë ftuan baballarët, vëllezërit dhe bashkëshortët që të eliminojnë stereotipet, ndërsa ftuan politikanët që të ndërmarrin masa më konkrete. Të pranishëm në protestë janë edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe amabasadori i Mbretërisë së Holandës, Vouter Plomp.