UEJL nuk përjashton mundësinë e bashkimit me UNT-në ose UT-në. Këtë e konfirmoi për Alsat M rektori i UEJL-së Zamir Dika i cili tha se pavarësisht dy modeleve, ende nuk ka një vendim zyrtar.
“Nuk ka asnjë model i cili është vendosur, asgjë. Është një diskutim i hapur nga të gjithë pjesëmarrësit, bashkësia ndërkombëtare, stafi studentët. Të gjithë jemi duke eksploruar se si ne mundemi të promovojmë dhe të rritemi. Fjala kyçe është këtu optimizmi i ofertave dhe ndikimi ynë, pra brendi ynë të vazhdon dhe të zgjerohet në komunitet. Modelet janë ata që bisedohen”, deklaroi Zamir Dika, Rektor i UEJL-së.
Dika shtoi se e gjithë procedura e bashkimit do të varet edhe nga Qeveria e re dhe programi i saj për arsimin e lartë në Maqedoni.
“Presim të mbarojnë zgjedhjet parlamentare, të shohim se cili është vizioni i garniturës së re qeverisëse për arsimin e lartë dhe ne vetëm se kemi shprehë gatishmërinë nëse ka nevojë për optimizmin dhe rritjen e cilësisë ne vendosim resurset tona në dispozicion”, tha Dika.
Çështjen e bashkimit ditë më parë e potencoi edhe kryetari i Bordit të UEJL-së, Dennis Ferrigton i cili tha se ideja vjen kryesisht pas uljes së numrit të studentëve në UEJL.
“Dy shkrirje; një me Universitetin “Nënë Tereza” që nuk e kemi konkurrencë, që do të jetë një universitet i madh këtu në Shkup, kryesisht në shqip, por edhe anglisht dhe do kemi diku rreth 10 fakultete. Ose të rihapim çështjen e shkrirjes me Universitetin e Tetovës”, deklaroi Dennis Ferrington.
Ferrington njëkohësisht edhe si anëtarë i komisionit amë të Fakultetit të Shkencave Teknike në UNT, adresoi kritika të ashpra në themelimin e këtij universiteti dhe përshpejtimin e procedurës për fillimin me punë. Ai tha se UNT-së i mungon një strategji dhe plan i detajuar për zhvillimin e mëtejmë. Ferrington shtoi se nuk ka informacion rreth parregullsive në përzgjedhjen e stafit akademik, i cili kryesisht përbëhet nga njerëz me të kaluar politike. Përveç kësaj, UNT që prej fillimit e në vazhdimësi po përballet me probleme si mos interesimi i studentëve në drejtime ekzakte, mungesa e hapësirave, mos finalizimi i konkursit të dytë për mësimdhënës si dhe dyshimet për dhënien e titujve përkatës shkencorë. Përzgjedhja e disa profesorëve në UNT me të kaluar politike, vjen edhe pas zotimit të kreut të BDI-së Ali Ahmeti, se Universitetin e ri, nuk do të ketë ish funksionarë të partisë së tij.