Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka folur për idenë e kryeministrit Albin Kurti për shërbimin ushtarak të obliguar.
Ai ka thënë se kjo ide është e mirë duke pasur parasysh se Forca e Sigurisë së Kosovës tash gradualisht shkon drejt plakjes dhe kërkohen resurse të reja humane.
Megjithatë Ibishi thotë se kjo nuk mund të implementohet menjëherë.
“Mund të fillojë brenda dy-tri viteve por në faza të vazhdueshme”, ka deklaruar ai në Rtv Dukagjini.
Eksperti i çështjeve të sigurisë thotë se ka dëshirë nga të rinjtë për të kryer shërbim ushtarak për tre muaj madje sipas tij ka edhe të interesuar që trajnimin të kryejnë pa armë.
Ibishi thotë se situate në të cilën ndodhet bota ku janë paraqitur kërcënime dhe rreziqe të reja nga terrorizmi apo nga Rusia, shumë shtete evropiane po e rikthejnë shërbimin e obliguar ushtarak.
“Pos vendeve skandinave dhe baltike që tashmë e kanë rikthyer sistemin e obliguar ushtarak, ka tendenca që edhe shtete tjera si Gjermania, Hungari por edhe Serbia dëshirojnë të kthejnë shërbimin e obliguar ushtarak”.
Ai ka thënë se Austria dhe Zvicra tashmë e kanë një sistem të përshtatshëm për rekrutim ushtarak që mund ta ndiqte edhe Kosova.
“Sistemi zviceran parashikon bënë përgatitje ushtarake rreth 28 ditore brenda vitit ku thirren kohë pas kohe për ushtrime, apo kur të shfaqet nevoja për mbrojtje të atdheut”.
Ibishi thotë se koha tre mujore do të ishte e mjaftueshme për të rinjtë të marrin trajnimet ushtarake.
“Do të kishte kosto të lartë pasi limiti do të ishte nga 18 vjeç deri në moshën 45 vjeçare”.
Ai thotë se do të duhet që të shkohej në fillim në mënyrë vullnetare pasi nuk ka kapacitete të gjithë të rinjtë që mbushin 18 vjet të përfshihen në trajnim.
Eksperti i sigurisë thotë se një program i tillë nuk do të binte ndesh as me programet e NATO-s, pasi sipas tij Kosova nuk ka ushtri të armatosur profesionale që do të ishte e gatshme edhe për misione ndërkombëtare.