Tomë Gashi, avokati i familjes Dehari, ka njoftuar përmes Facebook-ut se nesër, e premte, do të publikohet raporti i mjekëve të pavarur për vdekjen tragjike të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari – për të cilin nga ekspertiza zyrtare u tha se ka bërë vetëvrasje, njofton Klan Kosova.
“Nesër e premte më 16.12.2016 do të publikohet raporti i autopsisë mjeko-ligjore i ekspertëve të pavarur Dr.Besim Ymaj, ekspert Mjeko–Ligjor nga Shqipëria dhe Dr. Besim Latifaj, FRCPath Consultant Pathologist nga Anglia”, ka shkruar Gashi në Facebook.
“Konferenca për media do të mbahet nesër më 16/12/2016 në orën 14.30 në zyrën time në Prishtinë, ku do të publikohet raporti i ekspertëve të pavarur të cilët kanë marrë pjesë gjatë obduksionit më 07.11.2016”.
“Gjatë konferencës për media do të publikohen edhe fotografi të cilat e mbështesin raportin e ekspertëve të pavarur dhe do të sqarohet konkluzioni mbi shkaqet e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje”.