Analisti Xhelal Neziri mbrëmë në emisionin “360 gradë” tha se koalicion nuk do t’i sjellë ndonjë benefit të theksuar Aleancës për Shqiptarët (ASH) me Lëvizjen BESA, por se kjo që do ta dëmtojë shumë liderin e ASH-së, Zijadin Sela, me veprim të gabuar, si “vetvrasje politike”.
Ai gjithashtu theksoi se pas zgjedhjeve lokale, do te kemi rikonstruimin e parë të kësaj qeverie.
“Gjasat që Sela të fitojë Strugën janë minimale. Në momentin kur ASH duhej të profilohet si parti e dytë te shqiptarët, pasi kishte rritje prej 14 mijë votash, Sela vendosi të lidhë koalicion me BESË-n – një parti me rënie prej 11 mijë votash për dhjetë muaj. Me këtë rrezikon të humbë edhe pushtetin lokal në Strugë, edhe atë qendror”, ka thënë Neziri duke i cilësuar këto veprime si “vetvrasje politike”.
Ai ka theksuar se lidhja e këtij koalicioni ka për qëllim shpëtimin e karrierave politike të krerëve të BESË-s dhe ASH-së dhe nuk ka lidhje me interesin më të gjerë të këtyre partive, e lëre më atë të përgjithshëm.
“Asnjë pengesë nuk kishte që koalicioni të lidhet para raundit të parë. Nëse do të ndodhte kjo, ky koalicion do të fitonte këshillat komunalë, ku votohet për partitë, në disa komuna. Tani, kur i panë rezultatet se si parti BDI ka dalë fituese në pjesën më të madhe të këshillave komunalë ku kanë garuar partitë shqiptare, ata brenda orësh arritën koalicion. Por, ky koalicion ka të bëjë vetëm për kandidatët, pasi për partitë zgjedhjet përfunduan”, ka thënë mes tjerash Neziri./Zhurnal