Çmimi i energjisë elektrike nga 1 janari do të rritet mesatarisht për 0,92 për qind, njoftoi Komisioni Rregullativ për Energji, i cili për herë të parë ka marrë vendim në të cilin është përdorur mekanizmi kontrollues në lidhje me përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike.
– EVN Home ka dorëzuar vendim për kontroll dhe shqyrtim në Komisionin Rregullativ dhe sipas kërkesës së tyre, çmimi i amvisërive është dashur të rritet për 4.4 për qind. Nuk kemi pasur dallime në pjesën më të madhe të kostove të prokurimit, sasive, transmetimit. Dallimi i vetëm ishte faktori korrigjues përmes të cilit sigurojmë stabilitet çmimesh dhe çmime që do të kenë ndikim minimal në koston totale të energjisë elektrike të qytetarëve.
Siç u premtua, çmimi mesatar po rritet me 0.92%. Blloku i parë për 0,68 për qind, blloku i dytë për 0,9 për qind, blloku i tretë për 1,93 për qind, blloku i katërt për 2,24 për qind dhe tarifa e lirë rritet për 0,9 për qind – tha kreu i RKE, Marko Bislimoski. Kjo do të thotë se për një familje mesatare që do të marrë një faturë prej 2300 denarë, kostoja e energjisë elektrike do të rritet për rreth 21 denarë.
Bislimoski shtoi se me këtë vendim të RKE-së EVN-së do t’i kthehen 65 milionë denarë, ndërsa do të kthehen 135 milionë denarë, por hap pas hapi që të mos ketë ndikim tek konsumatorët fundorë.
– Pres që maksimumi për 6-7 vite ta rregullojmë, ka pasur edhe periudha në 2016, 2017, 2018 kur EVN ka pasur mjete që nuk ua kemi hequr të gjitha përnjëherë. Qëllimi i rregullatorit nuk është që të shkaktojë tronditje të çmimeve – tha Bislimoski.
Rrjeti për të gjitha blloqet është me çmim prej 2,14 denarë për kilovat/orë. Në bllokun e parë çmimi i ri është 4,44 denarë dhe së bashku me tarifën e rrjetit prej 2,14 denarë është 6,58 denarë për kilovat, ndërsa më parë ishte 6,53 denarë.
Në bllokun e dytë çmimi i përgjithshëm për kilovat orë është 7,71 denarë, ndërsa më parë ishte 7,64 denarë. Në bllokun e tretë çmimi do të jetë 9,57 denarë, për dallim nga 9,39 denarë më parë. Në bllokun e katërt më të shtrenjtë çmimi i ri është 20,4 denarë, ndërsa më parë ishte 20 denarë.
Dhe çmimi i ri i tarifës së lirë është 4,12 denarë, ndërsa më parë 4,08 denarë. Me vendimin e fundit, tarifa e rrjetit në seksionin e shpërndarjes u ul dhe praktikisht kjo i mundësoi RKE-së të ketë një pozitë më të rehatshme gjatë marrjes së vendimit për çmimin e energjisë elektrike.