Secila familje e prekur nga tragjedia e Koçanit fillimisht do të marrë 150.000 denarë për mbulimin e shpenzimeve aktuale, informoi Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë. Qeveria apelon qytetarët që dëshirojnë të dhurojnë mjete për familjet dhe pacientët, që këtë ta bëjnë vetëm përmes llogarisë zyrtare të Kryqit të Kuq, në mënyrë që të shmanget çdo mundësi e keqpërdorimit të të dhënave personale dhe dëmtimit të familjeve.
“Qeveria ka kërkuar që të mos spekulohet me informacione se familjet dhe pacientët kanë nevojë për mbështetje financiare për trajtim. Kjo nuk është e vërtetë. Trajtimi për të gjithë pacientët ofrohet dhe do të ofrohet nga shteti. Në këtë moment jo të gjitha familjet kanë nevojë për kujdes nga një aspekt i tillë. Në fushën e transportit dhe akomodimit, kjo është edhe përgjegjësi dhe shqetësim i Qeverisë. Janë kujdesur 180 persona nga familjet e personave të shtruar jashtë vendit. Nga Kryqi i Kuq jemi njoftuar se po bëhet pajtimi dhe vlerësimi formal-juridik përmes të cilit të gjitha familjet e prekura nga tragjedia e tmerrshme do t’u jepet mbështetje financiare, fillimisht nga 150.000 denarë për secilën familje dhe të njëjtat mjete do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve aktuale dhe urgjente ditore”, ka thënë Miteva.
Ajo bën me dije se ekipet e Kryqit të Kuq, Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta dhe Qeverisë kontaktojnë familjet çdo tre orë për të mos pasur situata të reja dhe të padëshiruara. Miteva apelon qytetarët që të solidarizohen, por të mos spekulojnë se familjet kanë nevojë për para për mjekim.
Lidhur me thirrjet në rrjetet sociale për donacione direkte për familjet dhe për organizatat që ndajnë llogari transaksionesh nga familjet, Miteva theksoi se bëhet fjalë për ndarjen e të dhënave personale të familjeve, që sipas rregullave ligjore mund të çojë në një situatë ku të dhënat personale keqpërdoren dhe dëmtohen familjet.
“Nuk ishte rastësisht që qeveria njoftoi se do të shkojë me llogari të dedikuar, me llogarinë zyrtare të Kryqit të Kuq për të shmangur spekulimet se ku do të dhurohen paratë”, tha Miteva.
Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit. Varrimi i tyre është kryer më 20 mars.