Në Maqedoni mund të kesh ndjekur çfarëdolloj shkollimit të mesëm, të kesh dhënë cilëndo lëndë si provim të maturës shtetërore dhe të mos kesh asnjë kufizim apo prioritet për degën në të cilën do të regjistrosh studimet.
Pra mund të kesh mësuar katër vite në ndonjërën prej shkollave të mesme të mjekësisë, të kesh dhënë provim mature gjuhën angleze dhe mund të pranohesh në fakultetin e arkitekturës, drejtësisë, ekonomisë, arteve e kështu me radhë. Kjo praktikë, për njohësit e arsimuar duhet ndryshuar sa më parë, pasi bëhet shkaku i mungesës së kompetencave profesionale sa u takon kualifikimeve.
Një prej arsyeve kryesore që ka sjellë deri në këtë situatë është edhe mungesa e një mekanizimi i cili do të bënte orientimin e hershëm të nxënësve, respektivisht do të rregullonte kalimin e tyre nga njëri në nivelin tjetër të shkollimit bazuar në aftësitë dhe dhuntitë e nxënësve. Por, mungesa e këtij mekanizmi ka bërë që pjesa dërmuese e nxënësve, dhe studentëve të mos kenë një vijimësi në drejtimin e shkollimit referuar në drejtime apo profile të caktuara.
Kështu, në kuadër të arsimit fillor mungojnë testet e vlerësimit të aftësive dhe dhuntive që posedojnë nxënësit si dhe të mekanizmave të ngjashëm pedagogjik të cilët do të stimulonin ende më tepër zhvillimin e atyre dhuntive me qëllim të orientimit të nxënësve drejt shkollave profesionale. Çdo herë duke vënë si prioritet harmonizimin e dhuntive të nxënësve, respektivisht studentëve me nevojave e tregut të punës.
Pra është pikërisht mos funksionimi i këtyre mekanizmave që nga njohës të arsimit vlerësohet si problem me ndikim të lartë edhe në rënien e cilësisë në arsimit në përgjithësi. Për pasojë vijmë në situata kur ata që regjistrohen në shkollën e mesme të mjekësisë përfundojnë studiues të gjuhës angleze, ekonomisë apo inxhinierë ndërtimi, ndërsa ata që kanë mbaruar gjimnazet bëhet mjekë, farmacistë apo stomatologjisë.
Në pamje të parë, kjo situatë mund të shihet si fryma liberale në arsim, por që në të vërtetë është burimi i anarkisë që mbizotëron në sistemin arsimor. Sipas Nuhi Dardhishtës, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Shkup, është shumë e nevojshme të ndërmerret diçka me qëllim të përmirësimit të kësaj situate.
“Në rast të funksionimit të sistemit i cili do të orientonte nxënësit sipas aftësive dhe dhuntive që kanë, jo vetëm që secili do ta gjejë veten në vendin e vet, por do të jenë shumë më të larta edhe rezultatet e mësimeve. Nxënësit, kuptohet që do të ndjehen shumë më kompetent në fushën ku i kanë orientuar mësimet dhe studimet e tyre, pra do të japin maksimumin e tyre. Dhe në instancë të fundit do të jenë shumë më cilësore edhe rezultati që ato do të japin gjatë mësimit apo studimit”, vlerëson Dardhishta. Por, realiteti në Maqedoni flet për një situatë krejt ndryshe dhe për Dardhishtën, problemi nis që nga mungesa e sistemit të klasifikimit dhe orientimit të nxënësve nga shkolla e mesme në universitete, për të përfunduar më pas te mungesa e kufizimeve për regjistrimin e tyre në degë sipas fushave përkatëse.
“Në të gjitha universitete e Maqedonisë, qofshin publike aspo private nuk ka kufizime në pranimin e studentëve bazuar në shkollimin paraprak të tyre dhe lëndën e provimit të maturës shtetërore. Këtë ua mundësojnë vetë universitetet”, pohon kryetari i LASH-it. Pra, sipas tij, maturantët nuk ka pse të lodhen të zgjedhin matematikën provim mature, kur dihet se për përvetësimin e kësaj lënde nevojitet shumë më tepër punë se sa për mësimin e gjuhës angleze.