Tre ditë para video-telefonatës midis Joe Biden dhe Vladimir Putin, një tren kaloi me shpejtësi përmes fshatit Polushkino, 60 kilometra në perëndim të Moskës. Ai ishte i ngarkuar me kamionë ushtarakë, automjete që i përkasin shtabit komandues, dhe dy duzina automjetesh të blinduara Tigr-M.
Dikush me pseudonimin në internet “dinisvogonov” e filmoi atë tren dhe e postoi videon në TikTok. Ato pamje, ishin një nga pjesët e shumta të vogla të enigmës, që po përpiqen të zgjidhin vëzhguesit perëndimore, për të pasur një panoramë sa më të qartë të grumbullimit të trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën.
Tek e fundit, “dinisvogonov” nuk ishte i vetmi që vuri re atë ngarkesë ushtarake. Dikush tjetër e kishte filmuar të njëjtin tren disa ditë më parë, mijëra km më në lindje. Edhe ai e postoi videon në internet.
Aktivistët e grupit të pavarur kërkimor rus “Ekipi i Të Dhënave inteligjente mbi Konfliktet (CIT), i specializuar mbi çështjet ushtarake, ishin në gjendje të përdornin numrat mbi makina për të përcaktuar se ku po shkonte treni:Jelnja, një qytet i vogël rreth 100 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë, dhe 300 kilometra larg nga Ukraina.
CIT thotë se mjetet ushtarake i përkasin një njësie elitare të vendosur në kufi me Mongolinë, dhe që i përket zonës nga e ka origjinën Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu. Ajo është pjesë e Ushtrisë së 41-të. Po ç’punë ka ajo nga Siberia në Rusinë perëndimore?
Kjo “gjëegjëzë” i ka shqetësuar vazhdimisht vëzhguesit në Perëndim. Dhe ajo është një nga arsyet pse presidentët Biden dhe Putin biseduan për 2 orë me njëri-tjetrin një javë më parë.
Uashingtoni beson se ekziston rreziku i një pushtimi të ri rus të Ukrainës.
Kjo, të paktën në teori, mund të shkaktojë një luftë të madhe në Evropë, dhe mund të jetë pjesë e një përpjekjeje të Moskës për ta ndarë edhe një herë kontinentin në sfera ndikimi.
Në pranverën e këtij viti, njësi të tjera dhe pajisje të rënda nga Ushtria e 41-të u zhvendosën në perëndim, në një kamp të ri ushtarak pranë Voronezh, rreth 200 kilometra larg nga kufiri ukrainas.
Këto njësi janë ende të pranishme në Rusinë Perëndimore. Në vend se të riktheheshin në Siberi pas përfundimit të stërvitjes së madhe “Zapad”, ato u transferuan në Jelnja. Imazhet satelitore tregojnë se tanket, mjetet e transportit dhe artileria, janë rreshtuar në një terren që ishte bosh gjatë verës.
Po ashtu, Moska ka transferuar elementë të ushtrive 49-të dhe 58-të në gadishullin e aneksuar të Krimesë, nga baza e tyre normale në rajonin e Kaukazit. Në Voronezh, ndodhen disa njësi Ushtrisë së Parë të Tankeve nga rajoni i Moskës. Kremlini duket se po bën maksimumin për t’i ngatërruar vëzhguesit, dhe për të fshehur gjurmët.
Sigurisht disa gjëra supozohet të shihen, por ato më të rëndësishmet mbeten të fshehura. E megjithatë, Michael Kofman i think-tankut amerikan CNA, thotë se është ende e mundur të dallohet tabloja më e madhe. Ai thotë se grumbullimi i trupave ruse që po ndodh aktualisht, është shumë më i gjerë se sa ai në pranverë.
Një dokument i brendshëm i SHBA-së i zbuluar nga “The Washington Post” flet për 50 “grupe taktike të fushëbetejës” (BTG) të vendosura tashmë jo shumë larg kufirit ukrainas, dhe në rajonin e aneksuar të Krimesë. BTG janë njësi që kanë më pak se 1000 ushtarë, të cilët mblidhen për një detyrë specifike.
Së bashku me 100.000 rezervistë që mund të thirren ende në apel, do të përbënin një forcë totale prej 175.000 ushtarësh. Kofman thotë se edhe nëse shifra reale mund të jetë disi më e ulët, një grumbullim i tillë trupash është thjesht shumë i madh për të bërë çdo gjë tjetër përveç një pushtimi në shkallë të gjerë.
Rusia nuk do të kishte nevojë për kaq shumë ushtarë për të realizuar detyra më të vogla, si për shembull zhvendosja e vijës së frontit në Donbas në favor të zonave separatiste. Mos harroni se rusët i menaxhuan me shumë më pak trupa ndërhyrjet e tyre në Donbas në vitet 2014-2015.
Kofman shton se Putin po përgatitet për një armiqësi të mundshme, dhe se ai dëshiron të ketë në tryezë të paktën opsionin e një pushtimi. Është shumë shqetësues fakti që Putin po i mban të fshehta këto përgatitje, gjë që nuk ndodhi në pranverë. Gjithsesi eksperti shton se është shumë herët për një pushtim.
Që të ndodhë kjo, duhet të transportohen në rajonin kufitar municionet, karburanti dhe ushqimi i nevojshëm. Gjithsesi lëvizjet e trupave në terren po vazhdojnë. Një ditë pasi bisedës virtuale Biden-Putin folën, një përdorues i TikTok postoi pamje të reja nga Voronezhi që tregonin sistemet e raketave rue ”Buk”, mjete të blinduara, dhe topat që prisnin të gjitha në një stacion treni.
Disa javë më parë, në një ditë të ftohtë nëntori, Putin e zbuloi pjesërisht strategjinë e tij në një fjalim që mbajti në Ministrinë e Jashtme ruse në Moskë, një ndërtesë madhështore e ndërtuar në epokën e Stalinit. Putin foli publikisht për “tensionin” që kishte shkaktuar Rusia në Perëndim.
Ai tha se Perëndimi i kishte injoruar plotësisht kundërshtimet e Rusisë ndaj zgjerimit të NATO-s drejt lindjes, por shtoi se kjo gjë më në fund ka nisur të ndryshojë. Putin shtoi se qasja e fundit e Moskës ka të bëjë me ruajtjen e tensioneve në nivele të larta, duke shtuar se ishte e domosdoshme që Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov të nxiste marrjen e “garancive serioze afatgjata nga Perëndimi, të cilat garantojnë sigurinë e Rusisë”.
“Është krejtësisht e pazakontë që një kryetar shteti të shprehet para diplomatëve se duhet të krijohet tension”– thotë Fyodor Lukyanov, ekspert i politikës së jashtme ruse. Putin bëri për herë të parë edhe një kërkesë konkrete.
Ndërsa më parë kishte përmendur vetëm “vijat e kuqe”, ai kërkoi tani një garanci formale se NATO nuk do të zgjerohet më tej në lindje, apo se nuk do ta zhvendosë më në lindje infrastrukturën e vet ushtarake.
Lukyanov flet për një “finlandizim” të Ukrainës, duke aluduar ndaj statusit neutral që Moska i imponoi fqinjës së saj të vogël Finlandës pas Luftës së Dytë Botërore. Në sytë e Putinit, Rusia mund të njohë ekzistencën e një shteti ukrainas, vetëm nëse ky i fundit do të ishte një mik i Rusisë.
Në dallim nga Putini, që po vepron i vetëm, Joe Biden po kërkon të shtërngojë radhët me aleatët e Uashingtonit. Javët e fundit, SHBA-ja u ka kërkuar evropianëve në prapaskenë të kenë një qëndrim më të ashpër publik ndaj Moskës. Asnjë sulm nuk duket të jetë i afërt, por fakti që një sulm është i mundshëm, kërkon një përgjigje të unifikuar të Perëndimit.
Në bashkëpunim me Britaninë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e shtoi presionin, duke kërkuar sanksione të ashpra kundër bankave ruse dhe blerjes së obligacioneve të qeverisë ruse. Ndërkohë Sekretarja e Jashtme britanike Elizabeth Truss ka propozuar reduktimin e qasjes së Rusisë në sistemin ndërkombëtar të pagesave SWIFT.
Krahas paralajmërimeve, Biden ra dakord për bisedime të mëtejshme dypalëshe. Veç konsultimeve për “stabilitetin strategjik”, mbi të cilat u ra dakord në samitin e qershorit, tani do të ketë edhe bisedime për sigurinë në Evropë. Por a do të shkojnë ato aq larg sa ta bindin Putinin të tërheqë ushtarët dhe pajisjet e rënda, që janë grumbulluar pranë kufirit?