Pesëmbëdhjetë për qind e firmave private që kanë licenca për ndërtim, projektim dhe mbikëqyrje të ndërtimeve të kategorisë A dhe B nuk i plotësojnë kushtet për punë dhe licenca u është hequr. Këtë e njoftoi ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Ai tha se ditët e fundit Ministria ka kryer kontroll të licencave të lëshuara, në përputhje me Ligjin për Ndërtim dhe Ligjin për Planifikim Urbanistik.
“Nga gjithsej 1.100 licenca të lëshuara, deri më tani janë kontrolluar 643 nga to, tek 97 licenca ose mbi 15 për qind është konstatuar se personat juridikë, pasi kanë marrë licencat, kanë pushuar së plotësuari kushtet ligjore mbi bazën e të cilave i kanë marrë ato…Kjo do të thotë se në momentin e aplikimit i plotësonin kushtet, por më pas nuk i respektonin më. Për këtë arsye do të merren masa për revokimin e licencave: 13 personave juridikë do t’u hiqet licenca për ndërtues të kategorisë A, 34 të tjerëve për ndërtues të kategorisë B, dy kompanive për mbikëqyrje të ndërtimeve të kategorisë A, gjashtë për mbikëqyrje të kategorisë B, tre firmave për projektim të ndërtimeve të kategorisë A, 20 të tjerave për projektim të kategorisë B, dy personave juridikë për rishikim të dokumentacionit të projektit të kategorisë B, një personi juridik për menaxhim dhe mirëmbajtje të objekteve, si dhe 16 kompanive të planifikimit urban për hartimin e PDU-ve”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.
Nikolloski tha se ligjet ekzistuese nuk janë të mira dhe përmbajnë paqartësi, prandaj do të pasojnë ndryshime ligjore. Në të ardhmen, licencat do të duhet të kontrollohen çdo 6 muaj.
Lidhur me diskotekën “Puls” në Koçan, Nikolloski tha se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nuk ka kompetencë, pasi bëhet fjalë për një objekt të kategorisë B, ndërsa sipas ligjit për decentralizim, Ministria ka kompetencë vetëm për objektet e kategorisë A.
“Objekti është ndërtuar në vitin 1999, sipas një plani urbanistik të Komunës së Koçanit,…1është ndërtuar si industri e lehtë jondotëse dhe është përdorur si fabrikë tekstili dhe magazinë. Më pas, është shtuar një pjesë prej 50 metrash katrorë, e cila në vitin 2011 u legalizua si ndërtim pa leje dhe iu bashkua objektit ekzistues. Nga aspekti i planifikimit urbanistik, procedurat janë respektuar. Problemi lind kur fillon përshtatja dhe rikonstruksioni i brendshëm pa asnjë miratim nga askush. Për më tepër, është vendosur një vulë që vërteton përmbushjen e kushteve nga një subjekt juridik, i cili ose nuk e ka parë gjendjen reale ose e ka injoruar atë”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.
Ndërkohë ka vazhduar edhe më tej kontrolli i objekteve gastronomike, gjatë ditës së djeshme nga 82 kontrolle të bëra, është konstatuar se 13 objekte gastronomike nuk i plotësojnë kushtet minimale për operim. Siç ka njoftuar zëdhënësja e Qeverisë, këtyre subjekteve juridike do t’u merren licencat dhe do të kenë ndalesa për kryerjen e veprimtarisë. /Alsat.mk