“Nuk duam që Ukraina të kthehet në Luftën e Tretë Botërore”/ Trump kërkon takim me Zelenskyn, ‘zbutet’ Putin

Pas Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i dha dritën jeshile rezolutës së hartuar nga Shtetet e Bashkuara për përvjetorin e tretë të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës, e cila mban një pozicion neutral ndaj konfliktit, presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, njoftoi se dëshiron të takohet së shpejti me Volodimir Zelenskin, ndoshta që këtë javë ose javën e ardhshme.

Arsyeja është sërish ujdia që do t’i lejonte SHBA-së shfrytëzimin e lëndëve të para që ka nëntoka e Ukrainës, marrëveshje të cilën Zelensky dëshiron ta firmosë personalisht.

“Jemi shumë afër një marrëveshjeje. Ne po e ndihmojmë Ukrainën si askush më parë. Nuk duam që lufta në Ukrainë të përshkallëzohet në një Luftë të Tretë Botërore”, tha Trump.

Shefi i Kremlinit Vladimir Putin u shfaq edhe ai më i zbutur në raport me Europën, duke pohuar se shtetet europiane mund të luajnë një rol në negociatat e mundshme për zgjidhjen e konfliktit të Ukrainës.

“Europianët, por edhe vendet e tjera, kanë të drejtën dhe mundësinë për të marrë pjesë në këto bisedime – dhe ne e respektojmë këtë”, u shpreh Putin.

Putin ndërkohë i ofroi SHBA-së menaxhim të përbashkët të rezervave të mineraleve të rralla që gjenden në territoret e Ukrainës të pushtuara nga Rusia.

“Ne jemi të gatshëm të punojmë me partnerët tanë atje, përfshirë SHBA-në”, u shpreh ai.

Rezoluta e shkurtër e miratuar në OKB të hënën konsiderohet se pasqyron ndryshimin e politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës nga Presidenti Trump pas marrjes së detyrës muajin e kaluar dhe qëndrimin e tij më pajtues ndaj Rusisë.

Ky është një ndryshim nga administrata e ish-presidentit Joe Biden, e cila kryesori përpjekjet në OKB për të mbështetur Ukrainën gjatë gjithë luftës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu