Deklaratat e ministrit grek të Mbrojtjes bërë nga vija kufitare mes Greqisë dhe Shqipërisë, ku cilësoi si idiote deklaratat e Presidentit turk Recep Taip Erdogan, për rinegocimin e traktatit të Lozanës për kufijtë mes dy vendeve dhe fyese deklaratat e kryeministrit shqiptar për çështjen çame, kanë marrë përgjigjen e parë nga Ankaraja zyrtare.
Përmes një deklarate të shkurtër publike, Ministria e Jashtme turke thotë se “ministrit grek të Mbrojtjes i mungojnë kapacitetet për të adresuar dhe kuptuar me këmbë në tokë zhvillimet mes dy vendeve”.
“Sjellja dhe deklaratat e ministrit grek të Mbrojtjes, që mesa duket e ka humbur arsyetimin dhe gjykimin, aq sa së fundmi vlerësoi organizata të lidhura me akte dhune dhe terrori në Qipro, dëmtojnë përpjekjet për bashkëpunimin që po përpiqemi të vendosim mes dy vendeve”, thuhet në deklaratën e diplomacisë turke.
Në fund të reagimit, Turqia fton Panos Kamenos që të shmangë deklarata të ngjashme në të ardhmen, duke u ngritur në lartësinë dhe përgjegjësinë e detyrës shtetërore që mban. /TCh/