Nxënësit shqiptarë të shkollës fillore “Liria” të Zhitoshës së Dollnenit nuk kanë arsimtarë dhe mësues të mjaftueshëm shqiptarë, informon INA.
Mbi 280 nxënësit shqiptarë të kësaj shkolle janë të detyruar që të vijojnë një pjesë të madhe të lëndëve në gjuhën maqedonase, pasi që komuna e Dollnenit dhe drejtoria e shkollës nuk u sigurojnë mësimdhënës.
Nga stafi i mësimdhënësve rreth 50 për qind janë joshqiptarë, edhe pse nxënësit shqiptarë përbëjnë mbi 80 për qind, ndërsa pjesa tjetër rreth 20 për qind janë boshnjak.
Prindërit shqiptarë kërkojnë që Ministria e Arsimit sa më shpejt të sigurojë kushte dhe staf mësimdhënës, duke u kordinuar me komunën e Dollnenit. “Ministri Pishtar Luftiu të bëjë diçka, pse është ministër. Le ta thirrë urgjent kryetarin e komunës dhe të sigurohen mësimdhënësit shqiptarë, sepse kjo garantohet me Kushtetutë. Mos të na asimilojmë sepse është turp dhe antikombëtare”, ka shkruar për INA, një prind nga ky rajon, duke thënë se të mos lejohet fëmijët e kësaj treve të asimilohen.
Komuna e Dollnenit shtrihet në pjesën veriperëndimore të fushëgropës së Pellagonisë. Kjo komunë udhëhiqet nga VMRO-DPMNE, ndërsa ka mundur të fitohej nga kandidat shqiptarë, në rast se partitë shqiptare do të ishin të bashkuara. (INA)