Kryetari i Komisionit në Serbi për personat e zhdukur, Veljko Odaloviq, ka thënë për televizionin serb RTS, se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të heshtin kur flitet për Reçakun.
Ai ka vazhduar ta mohojë Masakrën e Reçakut, ndërsa ka thënë se në Tribunalin e Hagës ishte ngritur akuzë për Reçakun në rastin kundër Sllobodan Millosheviqit, por më pas ishte hequr vet dorë nga akuza për këtë pikë, pas procesit dhe dëshmive.
“Pse Evropa e SHBA-ja po e mbrojnë Reçakun, pasi e përdorën këtë për bombardim dhe nëse kjo i shembet, atëherë duhet t’ua shpjegojnë se pse kanë bombarduar një shtet sovran e kanë krijuar një precedent. Unë i kuptoj shqiptarët pasi ata nga kjo bëjnë historinë e tyre, por pse këta tjerët që e dinë shumë më mirë se shqiptarët, madje edhe se ne se çfarë ndodhi vërtetë atje. A mendon dikush se ky veprim nuk është vërejtur nga shërbimet e huaja”, ka thënë Odaloviq.
Odaloviq ka shtuar se askush nuk po lejohet të thotë ndryshe.
“U pa çfarë ndodhi me Todosijeviqin, që u dënua me dy vjet vetëm pse e tha këtë. Kjo do të thotë se të gjithë ne që kundërshtojmë deklaratën e Walkerit që ishte e inskenuar, do të kemi probleme me Evropën, Amerikën dhe shqiptarët. Nuk mund të heshtim, ka disa prej nesh që e dinë se çfarë ndodhi dhe do të vazhdojmë të dëshmojmë këtë”, ka shtuar Odaloviq.
Ai ka rikujtuar edhe akuzën që ishte ngre në Tribunalin e Hagës për Reçakun e që u tërhoq më pas, siç thotë vet.
“Kishte një pikë të akuzës për Reçakun në aktakuzën kundër Sllobodan Millosheviqit dhe lidershipit shtetëror, dhe më pas e hoqën atë. Pas procesit gjyqësor dhe dëshmive. Mendoj se Danica Marinkoviq ishte ajo që dha më shumë argumente për demaskimin e një storie të Walkerit dhe një mashtrimi. Tash vimë në një situatë që ne, Vulinit dhe cilido nga ne që flasim diçka se çfarë ndodhi atje, na ndalohet të flasim për këtë, dhe askund nuk ka asnjë procedurë tjetër përveç asaj tentative në Tribunalin e Hagës dhe askush nuk ka nxjerrë asnjë dëshmi, me përjashtim të deklaratës së Walkerit se atje ka ndodhur masakër ndaj civilëve. Walkeri nuk ka kredibilitet të flas për këtë”, ka shtuar Odaloviq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit në Bruksel me delegacionit serb në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, në qershor, kishte kërkuar të largohet Odaloviq nga delegacioni serb, duke thënë se ishte drejtues kryesor politik i partisë së Sllobodan Millosheviqit në Kosovë nga viti 1997.