Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatë (UNHCR) thotë se 3,740 migrantë potencialë e kanë humbur jetën në Detin Mesdhe, deri tash këtë vit.
Gjatë gjithë vitit të kaluar numri i migrantëve të vdekur në përpjekjet e tyre për të arritur në vendet e Bashkimit Evropian, ishte 3,771 vetë.
Zëdhënësi i UNHCR, William Spindler, tha sot se numri i të vdekurve deri tash këtë vit është veçanërisht alarmues.
Kjo është gjendja “më e keqe deri tash që ndonjëherë e kemi parë në Mesdhe”, u tha Spindler gazetarëve në Gjenevë.
Në vitin 2015, më se 1 milion njerëz janë përpjekur të kalojnë nëpër Detin Mesdhe, ndërsa këtë vit deri tash numri është 327, 800 vetë. /rel