Një nga veturat më të vjetra në segmentin e veturave kompakte, Opel Astra, është duke kaluar në gjeneratën e re, me dizajn krejtësisht të ri brenda e me synimin për të rivalizuar Golfin, Focusin, Meganen e Octavian.
Gjenerata e gjashtë e Opel Astras do të rivalizojë edhe modelin Peugeot 308 me të cilin ndajnë platformën e njëjtë.
Astra e re do të jetë për disa milimetra më e gjatë, ndërsa pritet të mos sjellë fare versionin me vetëm tri dyer.
Fotografitë e publikuara nga kompania s’kanë dhënë shumë detaje, por raportohet se Astra 2022 do të jetë me versionet me benzinë e dizelë me nga 110 deri 225 kuajfuqi. Për herën e parë do të jetë edhe versioni hibrid në dy konfigurime. Varësisht nga fuqia, do të ofrohen marshet manuale me gjashtë shpejtësi dhe automatike me tetë.
Porositë pritet të nisin nga vjeshta, me veturat që do të dorëzohen te blerësit në fillim të vitit të ardhshëm.