Nga: Alpin Ollogu
Saga e ndryshim-plotësimit të Ligjit të Lojërave të Fatit, propozimet, kundërshtimet dhe populizmat, pastaj devijimet e bllokimet disa vjeçare, se fundmi janë rishfaqur në një përplasje të re, me dy qëndrime projektligjesh tek faktori politik shqiptar. Bashkimi Demokratik për Integrim ka mbetur në pozitat e propozimit të para një viti, në organizimin e bastoreve dhe kazionove me distancën e 500 metrave baraz-largësi nga objektet arsimore dhe ato të kultit, si dhe një taksim më i lartë i tyre. Projektligj që sipas përfaqësuesve parlamentarë të BDI-së, bllokohet qëllimshëm nga VMRO-ja e Mickovskit, për afro një vit rradhazi, për arsye të interesave fitmpurëse të këtyre të fundit. Qëndrimi i dytë, ështe projektligji i sapo propozuar nga Aleanca për Shqiptarët, sipas të cilit bastoret dhe kazinotë mund të organizohen vetëm në hotele me 5 yje.
Nga një këndvështrim realist, i ftohtë, pa tifo politike, projektligji i opozitës shqiptare, gjegjësisht Aleancës për Shqiptarët, është në epërsi të dukshme kundrejt projektligjit të Bashkimit Demokratik për Integrim, në rregullimin apo trajtimin e mëtejshëm të problematikës së lojërave të fatit. Më i arrirë për faktin e thjeshtë se projektligji i opozitës, në rrethanat e shtetit tonë godet palcën kurrizore të këtyre lojërave, ajo që më shumë frekuentohet dhe i dëmton banorët, bastoret sportive. Pavarësisht se, edhe ky nuk është një projektligj në sinkron të plotë me vullnetin e shumicës qytetare, ose me zgjidhjen përfundimtare të problematikës së bixhozit në praktikën e disa prej shteteve fqinje.
Pas kaq vitesh debate dhe kërkesash, nga qytetarë, opionionistë dhe organizata joqeveritare, opozita arriti të aktivizohet dhe propozojë një projektligj për ndryshim dhe plotësim në Ligjin për Lojërat e Fatit. Bisturia e opozitës, nga pozicioni që gjendet, e ka me të lehtë të bëjë prerje më të thella në zgjidhjen e çështjes, sesa bisturia e partive qeverisesë të cilat ndeshen drejtpërdrejt me presionin e interesave sekondare buxhetore dhe të tërthorta klanore me këtë biznes tejet fitmpurës, gjegjësisht nga pala maqedonase e cila shumë herët ka vendosur monopolin e lojërave të fatit. Megjithatë kjo është lufta dhe vigjilenca politike që ka kostot e veta, përfitimet dhe humbjet elektorale, shtuar shqetësimin real njerëzor përtej votës.
Nëse bastoret sportive dhe kazinotë ju lihen nxënësve dhe studentëve pranë vendbanimeve, qendrave tregtare, palestrave dhe hapësirave të ndryshme sportive, rrugicat e lagjeve, shitoreve e kafeneve, ç’kuptim ka të largosh bastoret 500 metra vëtëm nga institucionet arsimore. A mund të jetë kjo zgjidhje? Asesi. Llogaritur edhe ngritjen e taksave, përsëri nuk do të kemi efekt pozitiv, aq më tepër kemi parasysh informalitetin e lartë në organizmin e lojërave të fatit. Andaj nuk ka kuptim mos të ketë një dakordim mbipartak shqiptar që minimalisht, nëse bixhozi nuk mbyllet tërësisht si në Republikën e Kosovës, i njëjti të organizohet vetëm në hotele me 5 yje, apo resorte turistike, aty ku qasja e pjesës dërrmuesë është shumë më e vështirë.
Projektligji i Alancës për Shqiptarët është dukshëm me i arrirë, megjithatë nga ajo që na është prezantuar në media, ai çalon në aspektin e vendodhjes së hoteleve me 5 yje – a ka të bëjë me hotele që mund të gjenden ose ndërtohen në mesin e vendbanimeve apo kufizohen vetëm në zona periferike të qyteteve?! Shpresojmë të jëtë kështu, vetëm në periferi të qyteteve, e nëse jo, projektligji duhet rishikuar dhe bixhozi të lejohet ne hotele me 5 yje në periferi vendbanimesh. Ndryshe, projektligji e humb efektin e pritur pozitiv.
Partitë serioze nuk bëjnë politika inatçore, për ta, interesi shoqëror është përtej paragjykimeve, trysnive dhe frikërave politike, ato dinë të ndryshojnë dhe konkurojnë me më të mirën. Aleanca për Shqiptaret të rishikojë projektligjin dhe të kufizojë lojërat e fatit në hotelet me 5 yje të gjendura vetëm në periferi të qyteteve, ndërsa Bashkimit Demokratik për Integrim i mbetet pjesa më e madhe e ndryshimit, gjegjësisht të heqë dorë nga projektligji propozuar para një viti, duke përafruar qëndrimet me projektligjin e opozitës, shtuar atë “vetëm në zona periferike”, larg nga vendbanimet e njerëzve.