Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani nesër, me ftesë të sekretares shtetërore të Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, Liz Tras, do të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm nga Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Londër, informoi MPJ.
Në takim, si mysafir i posaçëm janë ftuar Stjuart Piç, përfaqësues i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogut Beograd-Prishtinë dhe Gabriel Eskobar, zëvendës ndihmës sekretar amerikan i Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike dhe përfaqësues i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Në programin e Osmanit janë paraparë takime të ndara bilaterale me Liz Tras, Gabriuel Eskobar, Stjuart Piç dhe Mirosllav Lajçak, ndërsa do të takohet edhe me Martin Vikers, i dërguar i posaçëm për tregti me Ballkanin Perëndimor të Kryeministrit Boris Xhonson.
Temë kryesore e diskutimit, siç informojnë nga MPJ, do të jetë Ballkani Perëndimor nga aspekti i zhvillimit ekonomik dhe integrimit rajonal, mundësitë për rritje të bashkëpunimit tregtar, perspektiva euro-atlantike, lufta kundër pandemisë, sfidat e sigurisë rajonale, përfshirë edhe perspektivat për tejkalimin e çështjeve të hapura në frymën e raporteve të mira fqinjësore në drejtim të arritjes së një Rajoni prosperues, demokratik dhe stabil.