Osmani: Të bëhemi bashkë për t’i thënë “JO” vrasjes së Marrëveshjes së Ohrit

Zëdhënësi i BDI-së dhe ish-ministri i jashtëm, Bujar Osmani përmes një porosie në rrjetet sociale ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e balancerit për përfaqësim në administratën shtetërore dhe për zhvillimet politike pas kësaj situate.

“Sot është dita e dytë e sulmit më të madh ndaj Marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe harmonisë ndëretnike në vend. Në reagimet e mia deri tani, nuk kam përmendur asnjëherë partitë politike, sepse kjo nuk është çështje e akuzave të ndërsjella mes BDI dhe VLEN. Unë edhe nuk dua të fajësoj VLEN për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse VLEN ka përgjegjësi për përpjekjen për ta justifikuar këtë vendim.
Kjo nuk është më një betejë ndëpartiake. Por është një prej atyre momenteve kur duhet të bashkohemi dhe të themi JO për vrasjen e Marrëveshjes së Paqes të vitit 2001”, ka shkruar Osmani.

Sipas tij, VLEN nuk ka arsye të jetë në mbrojtje për këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse nuk bashkohemi të gjithë – politikanë, aktorë jopolitikë, intelektualë dhe qytetarë – për të refuzuar këtë goditje vdekjeprurëse ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe barazisë, atëherë kur do ta bëjmë?”, nënvizoi Bujar Osmani.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu