Miratimi i Kodit zgjedhor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rregullsinë e procesit zgjedhor edhe atë nga më shumë aspekte. Së pari për shkak se duhet të implementohen rekomandimet e OSBE ODIHR-së, ndërsa kjo na është veçanërisht e rëndësishme tani në prag të samiteve evropiane, por së dyti edhe për shkak se për herë të parë po hyjmë në një mënyrë të re të financimit të fushatave zgjedhore, ku shumë çështje duhet të rregullohen.
Këtë sot në intervistën për MIA-n e deklaroi zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane Bujar Osmani, lidhur me kërkesën e BDI-së për balancimin e detajuar të njësive zgjedhore. “Për të gjitha këto çështje arritëm konsensus mes partive politike. Një çështje që është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe nga e cila varet ligjshmëria e procesit zgjedhor është dallimi në numrin e votuesve në njësitë e ndryshme zgjedhore”, bëri të ditur Osmani.