Pa Donald Lu, reformës dhe Shqipërisë do t’i bëhej funerali. Ta lëmë dhe të lutemi të bëjë atë që ka nisur

Le të supozojmë se këto ditë duhet të ndodhë ose shkarkimi i Adriatik Llallës nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm prej Bujar Nishanit, ose shkarkimi i Ambasadorit amerikan prej Donald Trump-it. Dhe tani, është radha e pyetjes: Shkarkimi i cilit syresh do të ishte një lajm (më) i mirë për Shqipërinë? Përgjigja është e thjeshtë, apo jo? Lalla është personazhi më pak i gjetur për t’ia atashuar të mirës së Shqipërisë. Madje, as të keqes së Shqipërisë nuk do ishte e drejtë t’ia atashoje. Llalla është një burgjí e vogël, e ndryshkur dhe e zhvidhosur në makinën e prishur të shtetit a të shoqërisë sonë. Asgjë më tepër. Shkurt, është nga ata njerëz, të cilët nuk mund të kenë impakt mbi asgjë e askënd qoftë me ngjitjen, qoftë me zbritjen e tyre. Është gjallë? Ok. Nuk është? Ok. Ja, ky është Llalla. Që jetën të gjatë e pastë!

Shkarkimi i Lu-së (për të mos i lënë disa që t’iu lëngëzojë goja, po ngutem të risaktësoj: hej, është supozim) do të ishte një lajm i keq për Shqipërinë. Do të ishte si një goditje e fortë për të gjithë ata që Lu-në e kanë parë (jo për atribute të tijat individuale, por për një fuqi ex officio) si garancinë më të madhe për suksesin e Reformës në Drejtësi, e cila, me gjithë dyshimet që mund të kemi pasur e kemi, po ngjall pak shpresë në këtë vend, po i bën shqiptarët të mendojnë se diçka mund të ndodhë. Diçka e mirë. Nuk është se janë apriori të sigurt për këtë, por kur shohin që klasës sunduese të vendit, asaj që në një farë kuptimi është shndërruar në një korporatë e krimit, po i shkon djersa në ullukun e fundshpinës prej frikës nga kjo reformë, bëhen pak optimistë. Dhe kjo nuk është pak për ca njerëz që optimistë ka kohë që nuk janë.

Unë nuk bëj pjesë tek ambasadoro-manët. Ma shpif ideja që ambasadorët kanë autoritetin dhe “kompetencat” që në këtë vend nuk i kanë as udhëheqësit e zgjedhur, as institucionet e pavarura kushtetuese, as mediat e gazetarët, as intelektualët publikë, por kam arritur që të bëj pak paqe me këtë nausea timen. Për një arsye shumë të thjeshtë. Reforma në Drejtësi, që është aq e nevojshme në këtë vend, as që do të kishte filluar pa Lu-në, apo pa Lu-të. Lëre pastaj të ishte finalizuar. Nuk ka në Shqipëri asnjë faktor lokal, asnjë burrë, asnjë grua, asnjë strukturë, asnjë autoritet shtetëror që do mund të bënte bashkë 140 vetë për të votuar diçka, të cilën mbi 90% e tyre, dhe 100% e bos-ëve të tyre, nuk e donin. Dhe këtë e bëri bash ambasadori amerikan, herë duke iu futur në gojë një çikë karotë, herë duke ua ngjeshur një shkop shpinës, herë duke iu kanosur se do të mbanin përgjegjësi deri edhe personale, herë duke iu shkuar deri edhe në mbledhjet e grupit parlamentar.

Sikur Lu-ja të merrte valixhet e të kthehej sot në shtëpinë e vet, Reformës në Drejtësi do duhej t’i bënim funeralin. Është për të ardhur keq që garancia më e madhe në këtë mes bëhet një “institucion” që nuk është as shqiptar, as kushtetues, siç është ambasadori i një fuqie të madhe, por kjo nuk është një hatá për një vend që, po të mos ekzistonin ambasadorët, as që do të ishte krijuar. Kjo nuk është hatá, sidomos, po të kemi parasysh gjendjen në të cilën gjendet sot shoqëria shqiptare. Kjo shoqëri është në pikë të hallit. Është e ligështuar, e korruptuar dhe e dorëzuar. Është e marrë fund. Është për të ardhur keq, por duhet ta themi: Gjithçka që ajo mund të prodhojë e të mbështesë është kjo bandë keqbërësish që ka në dorë vendimmarrjen mbi fatet tona. Dhe ta dimë mirë se kjo nuk është një bandë uzurpatore. Nuk është se këtë të drejtë për të marrë vendimet më të rëndësishme mbi vendin, na e kanë grabitur. Jo, ua kemi dhënë vetë. Dhe ua rinovojmë me qejf çdo katër vjet këtë “licencë”. Ua dimë bëmat, e prapëseprapë, i votojmë, i mbështesim, u japim legjitimitet. Përsëris: Megjithëse ua dimë bëmat, madje pikërisht ngaqë ua dimë bëmat, i votojmë dhe i mbështesim. Ne shqiptarët kemi respekt për mujsharët. Dhe ngaqë më duket e rëndësishme kjo që po them, më duhet të shpjegoj edhe fjalën “mujshar”, që është shqip, por nuk është familjare për të gjithë. Dhe është bajagi e çuditshme që pikërisht këtë fjalë që na karakterizon, apo që karakterizon ata që kemi pasur e kemi mbi krye, ne e përdorim kaq rrallë. Ose aspak. Mujshari – sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe – “është ai që përdor forcën për të shtrënguar një tjetër të bëjë diçka, që shpërdoron fuqinë a pushtetin për të sunduar me dhunë mbi të tjerët, ose për të bërë atë që do vetë”. Ok? Ky është mujshari. Dhe besoj që tani biem dakord se mujsharia është një gjë e jona. Mujsharët, ne i pjellim në çdo kohë. Dhe u shkojmë nga pas. Dhe iu falim mbështetje. Këtë rëndom e bëjmë për të përfituar, por do ta bënim edhe sikur të mos përfitonim asgjë. Sepse ne e respektojmë një mujshar. Ai është një role model për ne. Më shumë se çdo njeri tjetër në këtë botë, ne shqiptarët dimë të çmojmë një mujshar. Jo më kot jemi ne që kemi shpikur atë shprehjen që thotë, se “po nuk i qive nënën, nuk të thotë baba”. Vetëm shqiptarët kanë talentin, dhe të drejtën, për të shpikur një sentencë të tillë, që duket se bën tok mendësinë e skllavit me atë të mazokistit.

Shoqëria jonë ka edhe cene të tjera të mëdha, të cilat nuk na bëjnë që të shpresojmë apo të besojmë se mund t’u dalim për zot punëve tona. Është e kotë të presim që të lindë diçka nga brenda shoqërisë sonë që ta shpëtojë këtë shoqëri. Të gjithë e dimë se kjo shoqëri, sidomos në gjendjen e sotme, di të bëjë veç një gjë: t’i japë munxët pjesë më të mirë të vetes, nëse është e aftë ta krijojë, madje ta korruptojë e ndotë këtë pjesë të mirë, dhe në fund të legjitimojë pjesën e vet më të keqe. Dhe prandaj do duhej ta kishim pritur, që të gjithë, me gëzim angazhimin e ambasadorëve në këtë përpjekje për të bërë reformën në drejtësi. E duhet të lutemi që Lu-ja të mbetet aty, deri në fund të mandatit të tij që, me gjasë, përputhet me kohën kur reforma në drejtësi do të quhet e kryer. Në mos, ta gëzojmë sovranitetin, dhe bandat që e sundojnë këtë vend. Dhe kaqolët që u shkojnë pas avazit këtyre bandave.(Mapo)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu