Pagë minimale prej rreth 400 apo 500 eurove?! Këtë do ta vendosë Qeveria, e cila ka lënë që përfaqësuesit e sindikatave dhe punëdhënësit të arrijnë vetë marrëveshje. Ideja e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore për një minimum prej 500 eurove është e pranueshme për sindikatat, por kontributet duhet të mbeten të njëjta, pra të mos paguhen kontribute shtesë për dallimin nga rritja.
“Unë do të kërkoja edhe 500 të jetë paga minimale, pse të mos jetë. Sigurisht të gjithë do të jemi të lumtur. Shpresoj se edhe qeveria do të jetë e lumtur, megjithatë problem janë paratë që duhet t’i japin punëdhënësit. E dini se çfarë tregojnë ata. Në rregull, nëse japim ne, do të largojmë punëtorë nga puna, kërcënohen me diçka që nuk ka bazë, ata bëjnë ç’mos vetëm për të mos dhënë nga fitimi”, u shpreh Marjan Risteski, kryetar i KSLM.
Ideja për pagë minimale prej 500 eurove erdhi nga Oda ekonomike e Maqedonisë veriperëndimore.
“Solucioni i vetëm, mënyra e vetme që të zgjidhet paga minimale për një periudhë afatgjate, ne jemi që paga minimale të jetë 31.500 ndërsa kontributet të mbeten të pandryshuara”, tha Mendi Qyra, kryetar i OEMVP.
Sipas Organizatës së punëdhënësve këto janë vetëm dëshira që vështirë mund të realizohen. Mbeten në qëndrimin për harmonizimin ligjor me çka paga minimale do të rritet për 1.800 denarë, përkatësisht të vend të jetë 22.500 sa është tani, të rritet në 24.400 denarë.
“Paga minimale të rritet konform ligjit, ndërsa rritja deri në 30 mijë denarë të jetë pa kontribute. Pra nuk është e obligueshme, por ata që do ta rrisin pagën nga 24.400 në 30.000, dallimi të jetë pa kontribute. Qeveria nuk do të mund të sigurojë rritje të të gjitha pagave, të themi nëse paga minimale është 30 mijë, atëherë pagat e tjera duhet të rriten për 25% dhe të mos paguhen kontribute, do të duhet për 25% të rriten të gjitha pagat në Maqedoni. Kjo është punë e pamundshme, këto janë vetëm dëshira të Sindikatës”, tha në një linjë telefonike Angell Dimitrov, Organizata e Punëdhënësve.
Në fund të shkurtit do të sillet vendimi për pagën minimale, kur pritet të mbahet Këshilli socio-ekonomik. Në të njëjtën tryezë do të ulen punëdhënësit, sindikatat dhe qeveria për të vendosur se sa do të jetë paga minimale në mars. Sipas të dhënave të fundit nga Lidhja e sindikatave të Maqedonisë, aktualisht 25 mijë punëtorë marrin pagë minimale.