Panik në Stamboll, njerëzit janë hedhur në det për t’u shpëtuar plumbave

Dhjetëra persona në momentin e sulmit terrorist në klubin e natës në brigjet e Bosforit në Stamboll janë hedhur në det për të shpëtuar jetën.

Mediat turke raportojnë se policia detare turke ka punuar fort për të shpëtuar personat që u hodhën në ujë pas sulmit të tmerrshëm mesnatën e Vitit të Ri.

“Sozcu” thotë se teksa policia turke rrethoi klubin e natës Reina, në Ortakoy, policia detare shpëtoi me dhjetëra persona që u hodhën në det në panik e sipër. Klubi i natës Reina ndodhet tek këmba në pjesën europiane të urës së Bosforit.

Një terrorist i veshur si babagjysh i Vitit të Ri sulmoi me armë automatike një prej klubeve më të famshme të natës në Stamboll duke vrarë 39 persona, 16 prej të cilëve të huaj.

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, tha të dielën në mëngjes se në sulm janë plagosur 65 të tjerë, katër prej të cilëve rëndë./tvklan.al


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu