Realizimi i buxhetit për vitin 2016, rishikimi i buxhetit për vitin 2016 dhe propozim buxheti për vitin 2017, bashkë me ligjin për ndërprerjen e ligjit për lustrim dhe ridefinimin e kufijve të njësive zgjedhore. Këto janë vetëm disa nga ligjet më voluminoze në mesin e dhjetëra ligjeve dhe vendimeve që duhet ti sjellë Kuvendi në një afat prej jo më shumë se 22 ditëve apo 17 ditëve të punës, raporton SHENJA.
Deri më 12 tetor kur shpërbëhet Kuvendi, deputetët aktual duhet të kalojnë vendime të cilat në të kaluarën secila prej tyre ka shpenzuar dhjetëra ditë. Rishikimi i buxhetit të këtij viti bëhet me qëllim të sigurimit të mjeteve për dëmshpërblimin e qytetarëve që pësuan në vërshimet e fundit dhe kjo temë ka ngjallur debat disa ditor në të gjitha trupat parlamentar.
Por edhe më i nxehtë pritet të jetë debati për vitin e ardhshëm, i cili do të shqyrtohet për të gjitha zërat që përmban dhe të kalojë në të githa komisionet parlamentare. Edhe ligji për ndërprerjen e ligjit për lustrim nuk ka shpresa të përmbyllet për një periudhë të shkurtët duke patur parasyshë debatin e ashpër mes pushtetit dhe opozitës që është zhvilluar brenda kësaj periudhe. Një tjetër ligj i patjetërsueshëm i cili është edhe kusht për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është ndryshimi i kodit zgjedhor, gjegjësisht ridefinimi i njësive zgjedhore për çka partitë kanë shpenzuar tanimë disa ditë vetëm për hapjen e debatit dhe realizimin e konsultave.
Hapi i parë konkret në këtë temë pritet të hënën, por edhe për nesër nuk dihet me siguri nëse propozimi do të hyjë në Kuvend. BDI u ka dorëzuar partive të tjera parlamentare dy propozim ligje të cilat ata është dashur ti shqyrtojnë brenda dy ditëve të fundjavës dhe qëndrimet e tyre pritet ti shpalosin nesër në takim koordinues me kryeparlamentarin Trajko Veljanovski. Askush nuk e di me saktësi se deri kur mund të zgjasë debati rreth propozimeve para se një ligj koncensual të hyjë në procedurë parlamentare. Edhe për këtë temë partitë kanë qëndrime të ndryshme. Jozyrtarisht mësohet se BDI ka kërkuar ridefinim të të gjitha njësive zgjedhore, për çka nuk ka sinjale për disponim pozitiv tek VMRO dhe LSDM. Si zgjidhje alternative mësohet se është propozuar kalimi i Dibrës në njësinë e pestë zgjedhore, por këtë propozim e kundërshton PDSH-ja opozitare.
Partia e Menduh Thaçit kërkon që të gjitha njësitë të kenë numër të barabartë të votuesve, ose në të kundërtën të zvogëlohet numri i deputetëve në njësitë me më pak votues dhe të rritet tek ata që kanë më shumë votues se mesatarja siç është rastin me njësinë e gjashtë zgjedhore.
Në këtë njësi që dominohet nga shqiptarët ka 5.28 për qind votues më shumë se mesatarja, ndërsa njësitë tre dhe katër kanë mbi 4 për qind më pak se mesatarja që dallimin mes dy njësive dhe njësisë së gjashtë e sjellë në deri 30 mijë votues.
Përveç këtyre vendimeve Kuvendi duhet të miratojë edhe një listë të tërë ligjesh, plane vjetore, ratifikime të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligje të tjera./SHENJA/