Seancën e parë konstituive të Parlamentit të Maqedonisë do ta udhëheqë kryetari i deritanishëm i Parlamentit, Trajko Veljanovski, e jo siç ishte paralajmëruar Branko Manojlovski i BDI-së, si deputet më i moshuar. VMRO-DPMNE thirret në një ndryshim të rregullores nga viti 2013, ku thuhet se seancën konstituive të Kuvendit e udhëheqë deputeti që e konvokon mbledhjen.
Është interesant se ky ndryshim i rregullores ka qenë në fuqi edhe në vitin 2014, mirëpo në atë kohë seancën konstituive e ka udhëhequr deputeti më i moshuar, Stojanço Malinov nga Partia Socialiste e Maqedonsië, e jo Trajko Veljanovski edhe pse ai e ka konvokuar seancën edhe në atë kohë.
Kjo do të thotë se VMRO-DPMNE nuk e vlerëson fare besnikërinë 8 vjeçare të BDI-së dhe se tjetër kritere ka kur bëhet fjalë për deputetë të Partisë Socialiste me tre deputetë, e tjera kritere kur bëhet fjalë për BDI-në, pa marrë parasysh nëse i ka 10, 15 ose 20 deputetë.
Gazeta Lajm kontaktoi sot me deputetin Manojlovski, i cili në mënyrë indirekte konfirmoi se nuk do ta udhëehqë mbledhjen e parë të kësaj përbërje parlamentare.
“Ende nuk më kanë informuar asgjë, nuk jam ende i përgatitur”, deklaroi Manojlovski për Lajm.
Ndryshe ky nuk është nënçmimi i parë që VMRO-DPMNE i bën partnerit të saj besnik, BDI-së. Opinioni shqiptarë gjatë kohë nuk e kishte të qartë se pse BDI duron këtë nënçmim prej VMRO-DPMNE-së edhe pse vazhdimisht kishte shumicën absolute të votave shqiptare. Gjërat u bënë më të qarta pas publikimit të “bombave” nga kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, kur raportet mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së u shfaqën në dritën e tyre të vërtetë.