Partitë e vogla në Maqedoni nën hijen e ”katërshes së madhe” janë duke u përgatitur për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dhjetorit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Lidhja Demokratike paralajmëron se do të futen në garë si pjesë e ‘Koalicioni për ndryshime dhe drejtësi’, ku tani për tani ka katër parti politike. Lideri i kësaj partie, Pavle Trajanov thotë për Tv Telma se nuk ka kushte për garë të barabartë në mes të partive të vogla dhe të mëdhaja, duke shtuar se asnjë nga 55 personat e falur nga Ivanovi, të mos jenë bartës të funksioneve shtetërore.
Liljana Popovska nga Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë (RDM) konsideron se janë siguruar kushtet minimale për zgjedhje, por jo edhe kushte perfekte për një garë të barabartë.
Bilall Kasami i Lëvizjes BESA sheh ”në horizont një shkëndijë” dhe se ”ky muzg, ky terror dhe ky poshtërim do të marrë fund”.
Ziadin Sela nga Lëvizja për Reforma – PDSH konsideron se zgjedhjet do të jenë një rast i mirë që shqiptarët t’i heqin nga skena politike liderët Ahmeti the Thaçi.
Duke shpresuar se ”e treta është e vërteta”, RDK-ja i ka filluar përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.