Pas 15 muajsh lufte Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje për një armëpushim në Gaza dhe për lirimin e pengjeve. Marrëveshja do të hyjë në fuqi të dielën më 19 janar dhe është në tre faza, me një armëpushim fillestar 42-ditor gjatë të cilit do të ketë një lirim gradual të 33 pengjeve të parë dhe tërheqje graduale të forcave izraelite nga zonat e populluara të Rripit të Gazës. Ndërsa në fazën e tretë parashikohet kthimi i trupave të pengjeve të vrarë që mbaheshin në Gaza dhe krijimi i një plani rindërtimi dhe strukture të re qeverisëse.
Izraeli thuhet se ra dakord të lirojë të paktën 1,000 të burgosur palestinezë gjatë fazës së parë. Askush nuk do të lejohet të shkojë në Bregun Perëndimor dhe asnjë nga milicët që morën pjesë në sulmin e 7 tetorit 2023 nuk do të lirohet.
Marrëveshja do të përfshijë gjithashtu një rritje të ndihmave humanitare të dërguara në Rripin e Gazës nga organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë Kombet e Bashkuara, supozohen të paktën 600 kamionë në ditë. Shumë palestinezë dhe familje të pengjeve izraelite e festuan lajmin, por lufta në terren në Gaza nuk u ndal.
Agjencia e Mbrojtjes Civile e drejtuar nga Hamasi raportoi se sulmet ajrore izraelite vranë më shumë se 20 njerëz pas njoftimit të Katarit.
Izraeli filloi një fushatë për të shkatërruar Hamasin – e cila është e ndaluar si një organizatë terroriste nga Izraeli, SHBA dhe të tjerët – në përgjigje të një sulmit të 7 tetorit 2023, në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.
Më shumë se 46,700 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Shumica e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur, ndërsa ka një shkatërrim të gjerë dhe mungesa të mëdha të ushqimit, karburantit, ilaçeve dhe strehimit. /alsat.mk