Aksidenti i bujshëm i pak ditëve më parë, ku humbën jetën 4 persona-kujtojmë që shkaktari i aksidentit ecte në drejtim të kundërt në autostradë nën efektin e drogës-duket se ka ndërgjegjësuar autoritetet shqiptare që të fillojnë aplikimin e një tjetër testi për drejtuesit e automjeteve. Bëhet fjalë për testin e drogës.
“ReportTv” informon se ishin drejtuesit e policisë rrugore që me anë të një memo-je, i kanë kërkuar drejtorit të përgjithshëm të policisë caktimin e një buxheti të vecantë për blerjen e testuesve të drogës për shoferët në rrugë.
Aktualisht policia shqiptare kryen në rrugë testin e alkoolit me anë të aparaturës AlcoCheck Drug Test, ndërsa testi i drogës pritet të nisë brenda vitit.
Burimet konfirmojnë se një masë e tillë është parë e nevojshme pas përfshirjes së shoferëve të rinj në një numër të lartë aksidentesh, shpesh me pasoja të rënda. Nga analizat laboratorike rezulton se shumë shoferë të cilët kanë kryer aksidente me pasoja apo me dëmtime, kanë rezultuar përdorues droge./Shqiptarja