Ka marrë fund dje karriera politike e Nicolas Sarkozy. Në zgjedhjet primare të Repubblicaines, emri i ri amerikanizues që vetë Sarkozy i ka dhënë Ump, ka fituar François Fillon, ndërkohë që protagonisti tjetër i balotazhit do të jetë, ashtu si parashikohej, Alain Juppé.
Si pasojë, ka ardhur edhe vendimi i ish presidentit për t’i thënë lamtumirë politikës. E kishte ndjekur me guxim këtë revansh, pavarësisht faktit se, që kur aventura e tij presidenciale kishte marrë fund në vijim të skandaleve të përsëritur, mbi të gjitha ai i lidhur me financimet e fushatës së tij fituese elektorale të ardhur nga Libia, drejpërdrejtë nga llogaria e Kolonel Muamar Gedafit.
Pikërisht, Gedafi: ishte Sarkozy i cili sulmoi i pari në Libi, në kohën e ndërhyrjes së NATO-s për të përmbysur Kolonelin.
Dhe ishin avionët francezë që bombarduan karvanin ku ndodhej Gedafi teksa arratisej, tashmë i luftuar në të gjithë vendin prej koalicionit ndërkombëtar. Sulm i cili përfundoi me vrasjen barbare të udhëheqësit të Libisë.
Një vrasje, të cilën Hillary Clintoni e përshëndeti me një thirrje ngazëllimi – “Uau!” – që më pas, stafi i saj e shpërndau në të gjithë botën, për të vënë theksin në fitoren e arritur kundër beduinit rebel.
Clintoni e kishte pritur shumë atë moment, që kur kishte bindur Obamën hezitues, që t’i hynte një aventure ushtarake, e cila do ta zhyste Libinë në një kaos, nga i cili nuk ka mundur të dalë edhe sot e kësaj dite.
Sarkozy dhe Clinton ishin binjakët mitologjikë të asaj lufte të ndyrë, që ka sjellë kaq shumë kaos global: nuk duhet harruar se ushtarët e parë që u hodhën në luftën siriane, e cila nisi për të sjellë një ndryshim regjimi edhe në atë vend, ishin rekrutuar në rrjetin e terrorit, pikërisht mes radhëve të të ashtuquajturve rebelë libianë. Dhe se si fundi i regjimit të Kolonelit i hapi dyert terrorit në Afrikën perëndimore, nga Mali në Nigeri, atje ku mbizotërojnë tashmë terroristët e Boko Haramit.
Një pasojë e pashmangshme, si e kishin parashikuar shumë analistë të cilët nuk i dëgjoi kush, duke patur parasysh që Gedafi, pavarësisht të gjithë limiteve që kishte, ishte një ledh mbrojtës ndaj fondamentalizmit islamik. / ilgiornale