-Këtë vit, për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kjo festë po na gjen në gjendje të pa lakmueshme, dhe kjo z. kryeministër, falë jush dhe falë platformës suaj anti-shqiptare, tha deputetja e Frontit Europian, Arbana Pasholli në seancën e pyetjeve të deputetëve në Kuvend, përcjell TV21. Pasholli thotë se nisma në Gjykatën Kushtetuese, konteston gjuhën shqipe në tërësi, e jo vetëm disa nene. Pasholli thotë se pjesë e kësaj nisme është edhe Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.
“Në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese të RMV-së mund të gjeni përgjigjen në pyetjen zyrtare, citoj: Cilat nene të Ligjit për përdorimin e gjuhëve kontestohen, pra do të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese dhe cilat janë partitë politike dhe iniciativat civile që kundërshtuan këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. Në përgjigjen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këto pyetje thuhet siç vijon: Lidhur me kërkesën nga paragrafi i 1 dhe i 2, përgjigja është, është kontestuar ligji për përdorimin e gjuhëve në tërësi, përsëris, në tërësi. Ndërsa me numër rendor 5, nga 13 iniciuesit të kontestimit të kushtetutshmërisë për Ligjin për përdorimin gjuhëve, me të cilin rregullohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, është partia juaj VMRO-DPMNE me përfaqësues Igor Janushev”, tha Pasholli./tv21.tv