Gjykata Kushtetuese dje ngriti procedurë për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Balancuesit, mjet i cili siguron përfaqsimin e drejtë të etnive nëpër institucione, gjegjësisht do të vlerësojë dispozita nga akte të kontestuara nga ana e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit.
Gjykata Kushtetuese shprehë dyshime se cenohen liritë themelore të njeriut të cilat janë e drejtë ndërkombëtare të vërtetuara në Kushtetutën tonë. Sipas Gjykatës, e drejtë e gjithsecilit është të ndjehet si të dojë në bazë etnike, por edhe nëse dëshiron të deklarojë identitetin e tij gjatë procesit të punësimit.
Ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk munguan reagimet e partive politike në bllokun shqiptar, nga pushteti e opozita. Asnjëra prej tyre nuk pajtohet me ndërprerjen e zbatimit të përkohshëm të balancuesit.
Zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti, për TV21 shprehet se balancuesi është mekanizëm për të implementuar të drejtën kushtetuese meqë Marrëveshja e Ohrit është pjesë e sistemit ligjor dhe pjesë e Kushtetutës. Megjithatë për të, balancuesi si mekanizëm është i devalvuar dhe i ka ikur koha. E njëjta thotë se duhet të avancohet në ligj.
Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët pjesë e Frontit Europian, nuk pajtohet me arsyetimet e Gjykatës se përkatësia etnike është ndjenjë personale dhe e njëjta mund të ndryshojë. U bën thirrje aktorëve politik që të ndërhyjnë me ndryshime të tjera në ligj.
Të pakënaqur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese gjithashtu ishin edhe Partia për Lëvizje të Turqve. Sipas tyre, shfuqizimi i këtij mekanizmi jo vetëm që do të jetë goditje serioze mbi përfaqësimin e drejtë të bashkësive joshumicë, por edhe seriozisht do të shkelë marrëdhëniet ndëretnike.
Përndryshe qëllimi i Qeverisë është që në të ardhmen punësimet të bëhen në bazë të meritokracisë dhe jo në bazë të kombësisë.