Nga: Emin Azemi
Përmes një referendumi të 8 shtatorit të vitit 1991, me pjesëmarrje të mbi 95 për qind të qytetarëve, Maqedonia e sotme u pavarësua nga ish Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumë-partiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Pas referendumit të 8 shtatorit 1991, Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë. Hapi i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re (pa votat e deputetëve shqiptarë) më 17 nëntor 1991. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas luftës së vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Me marrëveshjen e Prespës që tejkalonte kontestin me Greqinë, emri i Maqedonisë pësoi ndryshim duke u riemërtuar në “Maqedonia e Veriut”, kusht ky që ndikoi të anëtarësohet në NATO, kurse pas nënshkrimit të protokollit me Bullgarinë këtë vit, filloi negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Pavarësimin e Maqedonisë, shqiptarët e përjetuan në dy mënyra: në njërën anë pretendonin se po përfshiheshin në një proces demokratik, ku edhe kontributi i tyre me pjesëmarrje në jetën institucionale, do të ndikonte në forcimin e kapaciteteve shtetndërtuese, kurse në anën tjetër, po shkëputeshin nga aspirate shekullore për të jetuar në një shtet të përbashkët në Ballkan.
Por, pas pavarësimit të Maqedonisë, shqiptarët filluan ta ndiejnë anashkalimin që iu bëhej nga nomenklatura e atëhershme politike maqedonase. Në të shumtën e rasteve, pjesëmarrja e shqiptarëve në pushtet më tepër kuptohej si dekor, se sa si kontribut substancial i tyre, prandaj këto ishin edhe arsyet për organizimin e një referendumi të veçantë, më 11 dhe 12 janar, 1992, ku populli shqiptar do të shprehte vullnetin e vet përmes deklarimit gjithëpopullor.
Vendimin për shpalljen e referendumit për Autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve në Maqedoni e mori Kuvendi i Autonomisë më 27 dhjetor, 1991. Zhvillimet e këtilla politike, përmes deklarimit plebicitar, ishin karakteristikë e të gjithë popujve në ish-Jugosllavi që përpiqeshin të fitonin lirinë përmes procesit demokratik. Në Maqedoni , referendumi i popullit shqiptar ishte kundërpërgjigje ndaj të gjitha vendimeve të njëanshme të faktorit politik maqedonas, të cilët anashkaluan skajshmërisht interesat kombëtarë të shqiptarëve
Tani pas 31 viteve nga pavarësimi Maqedonisë si shtet, shqiptarët kaluan nëpër disa procese politike e institucionale, ku roli dhe kontributi i tyre ndikonte edhe në ruajtjen e baraspeshave gjeopolitike e etno-kulturore , që reflektoheshin përpos në konsolidimin e brendshëm si shtet, edhe në përmasa rajonale.
Të gjitha qeveritë që u formuan në Maqedoni u bazuan mbi parimin e multietnicitetit, mirëpo kur filluan të funksionojnë në praktikë, ato i ktheheshin avazit monoetnik. Madje, ngandonjëherë ato funksiononin aq papengueshëm, sa që ishte vështirë të dalloje, nëse ato qeveri funksiononin me apo pa partnerët shqiptarë. Dilema bëhej më e madhe kur nacionalizmi institucional maqedonas ndodhte para hundëve të përfaqësuesve shqiptarë të pushtetit dhe për rrjedhojë ndodhi 2001, kur akumulimi i pakënaqësive të shqiptarëve mori formën e rezistencës së armatosur.
Pasoi marrëveshja paqësore e Ohrit dhe domosdoja e ndryshimeve kushtetuese, ku shqiptarët morën disa të drejta që nuk i kishin, por sërish ngelën si një element joshtetformues në funksionimin praktik të shtetit të Maqedonisë. Në vend të statusit shtetformues, shqiptarëve iu dhurua një paradhomë e sistemeve koloniale që përkufizohej përmes 20 përqindëshit, si element që shprehte njëfarë autonimie kulturore-gjuhësore, por pa kurrfarë garancie kushtetuese.
Edhe përkundër kësaj qasjeje retrograde ndaj pozitës kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët sërish treguan sens të lart lojaliteti ndaj shtetit që nuk i përmbushte të gjitha nevojat dhe aspiratat e tyre. Sa here që Maqedonia kalonte nëpër kriza dhe turbulence identitare, shqiptarët treguan mirëkuptim ndaj fqinjëve të tyre maqedonas, duke i flijuar agjendat e tyre etnike. Por, ky lojalitet i shqiptarëve mbeti i pavlerësuar nga politikanët maqedonas.
Deri më tani shumë rrallë na ka rënë të dëgjojmë ndonjë kryeministër maqedonas të ketë shprehur publikisht mirënjohje për rolin konstruktiv të partnerëve shqiptarë në mirëkuptimin e proceseve ku në të shumtën e rasteve shqiptarët si kolektivitet, forcimin e subjektivitetit të tyre kushtetues e këmbenin me lojalitet ndaj shtetit të Maqedonisë.
Forcimin e subjektivitetit të tyre kushtetues, shqiptarët jo rrallë e këmbenin edhe me luftën brenda llojit. Në kushte të tilla të një konkurrence bizare politike brendashqiptare, nacionalizmi institucional maqedonas lulëzonte papengueshëm, ndërkohë që ambiciet joracionale të shqiptarëve mbante gjallë këtë nacionalizëm, duke prodhuar altruizëm të tepruar dhe herë-herë duke plasuar ide bajate për ruajtjen e Maqedonisë nga prirjet dezintegruese.
Prandaj fuqia politike e faktorit vendimmarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe e mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve.
Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve mund të degradohen edhe në të ardhmen në përmasa brengosëse nëse nuk intervenohet shpejt në gjetjen e një kompromisi afatgjatë, duke ndërhyrë në ato çështje që barazvlerësojnë cilësinë e përfaqësimit përmes projekteve konkrete e shumë urgjente dhe kapacitetin e shtetndërtimit.
Tani kur Maqedonia e Veriut po feston 31 vjetorin e pavarësisë, shqiptarët si duket ende nuk kanë nxjerrë mësime , pasi që tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Tek shqiptarët ka politikanë, por nuk ka lidership. Duke qenë kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, ka ndikuar që politikat hermafrodite të shqiptarëve të ‘avullohen’ në paradhomat e politikës maqedonase.
Në mungesë të një “kompasi” strategjik e ideor, partitë shqiptare jo rrallë kanë humbur rrugën në planimetrinë politike maqedonase dhe për pasojë faturën e tyre e paguanin shqiptarët, ndonëse kjo pakënaqësi ende nuk ka arritur të formalizohet në trajtat e një platform të fuqishme opozitare.
Se çka fituan dhe çka humbën shqiptarët – përgjigen më të mirë e dhanë proceset në të cilën kaluan ata, por një përgjigje më të përpiktë do të duhej ta japin brezat e ardhshëm të cilët marrin me politikë nuk do ta kuptojnë vetëm si mekanizëm për ardhjen në pushtet, por edhe si katalizator që rregullon kompleksitetin shoqëror, ekonomik, politik, e kulturor të jetës së shqiptarëve.