Bashkimi Europian ka përditësuar listën e vendeve për të cilat duhet të hiqen kufizimet e udhëtimit, duke “fshirë” të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kufijtë e vendeve anëtare të BE-së do të qëndrojnë të mbyllur jo vetëm me Shqipërinë, por edhe për Malin e Zi dhe Serbinë, të cilat ishin të përfshira fillimisht në këtë listë.
Gjermania dhe Austria nuk këshillojnë udhëtimin në asnjë prej vendeve të Ballkanit, duke lëshuar një paralajmërim udhëtimi kundrejt rajonit.
Vetëm rezidentët mund të udhëtojnë drejt Italisë dhe Greqisë, por për qytetarët e tjerë kufijtë e vendeve fqinjë janë të mbyllura.
Vende të tjera si Gjermania, Holanda, Austria etj. kanë mbyllur kufijtë edhe për qytetarët serbë, për shkak të numrit të lartë të të infektuarve.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) njoftuan se qytetarët e Australisë, Kanadasë, Gjeorgjisë, Japonisë, Marokut, Zelanda e Re, Ruandës, Koresë së Jugut, Tajlandës, Tunizisë, Uruguait tani do të lejohen të udhëtojnë në zonën Shengen.
Zyrtarët thanë se vendimi ishte marrë “duke vënë në fuqi një politikë komplekse që kërkon të balancojë shqetësimet shëndetësore me politikën, diplomacinë dhe nevojën e dëshpëruar për të ardhura nga turizmi”.
BE botoi për herë të parë listën e vendeve të sigurta në 30 qershor me 15 vende.
Sidoqoftë, lista u rinovua, Algjeria, Mali i Zi dhe Serbia nuk ishin më pjesë e listës, duke e çuar totalin në 12. Vendimi erdhi si rezultat i një rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve ditore në këto rajone.
Por jo të gjitha vendet kanë rënë dakord për listën e aprovuar nga BE. Vende si Polonia dhe Hungaria nuk kanë pranuar të hapin kufijtë e tyre për qytetarët e vendeve të sugjeruara nga BE në listë.