Lajmet që vijnë këtë mëngjes nga Siria janë dy. I pari është se lideri i Al Kaedës, Ayman al-Zavahiri u bëri thirrje rebelëve, me një mesazh audio të lëshuar në rrjet, për të vënë në zbatim një “luftë guerilase afat-gjatë” kundër Bashar al Assadit. Për udhëheqësin xhihadistë, “kjo do të jetë një luftë e zgjatur, për shkak se mbështetet nga Perëndimi për të ndalur zgjerimin islamik”, se “Sham (Levanti) nuk do të gjunjëzohet përveç se nga Allahu” dhe, duke iu drejtuar rebelëve, ka shtuar: “Ju duhet të përgatiteni për një luftë të gjatë me kryqtarët dhe aleatët e tyre të krishterë dhe shiitë. Ju duhet të kaloni në strategjinë guerilase, për t’i shtyrë ata deri në rraskapitje”. Një ndryshim në strategjinë e Al Kaedës, pra, që mund të krijojë shumë probleme jo vetëm për Sirinë, por edhe Perëndimin.
Lajmi i dytë ka të bëjë me dërgimin e mundshëm të trupave të reja ruse dhe iraniane në Siri, siç kanë bërë të ditur burimet e ushtrisë siriane, për gazetën pan-arabe “Al-Quds al-Arabi”. Siç bën të ditur Damasku, Moska i ka dërguar një kërkesë zyrtare presidentit Assad për të dërguar më shumë trupa në ato zona të Sirisë, të nevojshme për të vazhduar dhe vënë në presion rebelët. Të njëjtat burime gjithashtu shpjegojnë se edhe Irani është duke u përgatitur për të marrë një rol më aktiv në luftën në Siri, madje duke dërguar trupa tokësore.
Për Teheranin dhe Moskën në fakt është e nevojshme që të vazhdojnë të “mbështesin” qeverinë e Damaskut, përpara një zgjidhjeje politike. Kremlini nuk do të humbasë një aleat kyç në fushën e shahut që është Lindja e Mesme dhe, sidomos, nuk mund të humbasë portin e Tartous, e vetmja dalje në detet e ngrohtë. Irani, nga ana e tij, duhet të përpiqet për të mbajtur të bashkuar të ashtuquajturin “boshtin e rezistencës” për t’iu kundërvënë jo vetëm sunitëve, por edhe (dhe sidomos) Izraelit. Për këto arsye, Irani dhe Rusia prej vitesh dërgojnë ushtarët e tyre për të luftuar në krah të Damaskut.
Forcat qeveritare, ndërkohë, kanë fituar përsëri një numër pozicionesh të humbura javën e kaluar në Damask dhe Hama. Sipas raporteve nga Al Jazeera “forcat e Asadit kanë bërë përparime në drejtim të xhamisë në Husein dhe fermës fqinje në zonën e lagjes Qabon të kryeqytetit, në sajë të një mbulimi masiv ajror. Për herë të parë në katër vjet, trupat e Damaskut kanë rimarrë kontrollin e lagjes Barza dhe fusha të tjera, që më parë ishin në duart e rebelëve vendas në zonën lindore të kryeqytetit, si dhe ka arritur dje të rimarrë disa zona të pjesës veriore të provincës së Hamas. / bota.al