Përhumbja e Deklaratës së Pavarësië

Dita e shpalljes së pavarësisë është ndër më të begatat dhe historikisht enigmatike. Data 28 e vitit të largët 1912 rrënjoset përjetësisht në mendjen e sfilitur të shqiptarëve si vetshpallje e Shqipërisë së pavarur. Një mijë e një pse-të ngrihen qysh në krye të herës përsa i përket vendodhjes së aktit origjinal të Shpalljes së Pavarësisë. Thuhet se pronësia e kësaj kopje i përket Lef Nosit, njëkohësisht edhe firmëtar i këtij akti. Fati i keq i koleksionistit nga Elbasani bëri që me pushkatimin e tij, të shkatërroheshin mizorisht edhe koleksionet e këtij të fundit. Siç duket padrejtësitë mbi këtë akt nuk reshtin së përfunduari, ku edhe pjesa e aktit historik jepet gjysmake dhe e falsifikuar. Cungimi duket qartazi në mungesën e firmës së Mit’hat Frashërit dhe Mustafa Krujës. Ky argument mbështetet fuqishëm edhe nga mospërputhja e numrit të firmave me numrin e delegatëve që përmenden në organin zyrtar të kohës “Përlindja e Shqipërisë”.

Shpallja e pavarësisë nga njëra anë përmbyll suksesshëm luftërat për të ruajtur me fanatizëm çdo copëz territoriale të atdheut dhe nga ana tjetër hap epokën e re për ruajtjen e pavarësisë nga rreziqe të lloj-llojshme. Ishte Kuvendi i Vlorës që e trajtonte Shqipërinë si një dhe të pandarë. Populli shqiptar ka ecur i vetëm dhe pa aleatë në rrugën e vuajtshme drejt pavarësisë. Kalimi i këtyre pengesave pa mbështetje mund të kenë qenë nxitësi kryesor që çoi drejt Shpalljes së Pavarësisë. I papërsëritshëm mbetet momenti unik i hartimit dhë nënshkrimit të Deklaratës për Pavarësinë e Shqipërisë.

Të kuruara deri në detaje janë fjalët që përshkruhen në të: “Pas fjalëve që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, në të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, më një zâ venduan që Shqipëria më sot bâhet në vehte, e lirë e mosvarme”.

Ky dokument kaq shumë i rëndësishëm për të gjithe ne, mishëron më së miri përpjekjet e palodhura të 83 delegatëve të cilët nuhatën se vendi ishte i rrezikuar. Me anë të kësaj deklarate hidhen hapat e para drejt një shteti demokratik, i cili është në gjendje të mbijetojë edhe pa thërrimet e shteteve të fuqishme. Mjaftonte vetëm një fakt i thjeshtë; që emri i një delegati mos të shihej me sy të mirë nga regjimi dhe sa hap e mbyll sytë emri i tij nuk do të figuronte në këtë dokument, jo vetëm historik por edhe identifikues. Tashmë fati i emrave të deklaratës lidhej ngushtësisht dhe drejtpërdrejt me preferencat e regjimit diktatorial, i ardhur pas vitit 1944.

I shumëpërfoluri u shkrua nga Luigj Gurakuqi në fillim si procesverbal, por që përfundoi si deklaratë. Legjendat dhe dyshimet për këtë të fundit janë të shumta. Sipas historianit të mirënjohur Kristo Frashëri ekzistenca e saj pohohet, duke na sjellë argumentin se me rastin e 25 vjetorit, gjatë festimeve, popullit i është shpërndarë nga një kopje e deklaratës. Për korrektësi duhet thënë se ky argument nuk është faktuar ende.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu