Përkujtimi i vëllait për Remzi Hoxhën: Lus zotin një ditë ta gjejmë varrin, e të çmallemi!

Sot janë mbushur 21 vite që nga zhdukja misterioze e biznesmenit shqiptar nga Shkupi, Remzi Hoxha. Me këtë rast, një përkujtim prekës ka shkruar vëllai i tij, Nebi Hoxha, shkruan Gazeta Lajm.

“Sot më datë 21 para 21 viti e morën vëllaun tim perjetesisht njerez te lige nen hijen e demokracise. Vitet kalojne plaga nuk sherrohet. Nje njeri pa varr eshte gjysem i vdekur. Lus Zotin qe nje dit trupi i Remzi Hoxhes do të ketë një varr ku familja mund te çmallen me te. Shpresoj dhe besoj qe do vjen ajo dite dhe drejtësia do troket në derë!”, ka shkruar Nebi Hoxha, duke e ilustruar përkujtimin e tij me një fotografi nga rinia e Remziut, shkruan revista Klan.

Çka ndodhi me Remzi Hoxhën në vitin 1995? Si u zhduk ai? Një tekst investigues për të është botuar para një viti në revistën Klan të Shqipërisë, të cilin ua sjellim në formë integrale.

Skenari: Si u rrëmbye Remzi Hoxha në vitin 1995

Remzi Hoxha kishte nisur të ndihej i qetë në mesin e tetorit 1995. Pasi kishte shitur të gjithë pasurinë e tij në Kosovë e Maqedoni, me një shumë prej 450 mijë markash gjermane, kishte nisur jetën e re në Tiranë, për t‘i shpëtuar njëherë e përgjithmonë ndjekjes nga regjimi i Millosheviçit, në pritje të ditëve të qeta.

Duke punuar dhe shkolluar fëmijët në Shqipëri dhe, ndërkohë, duke ndihmuar financiarisht bërthamën e një lëvizjeje për çlirimin e Kosovës, që më pas do të pagëzohej me inicialet UÇK.

Ndaj, pasi kishte themeluar punishten e duralumineve “Albatros” në rrugën e “Frigoriferit”, afër stacionit të trenit në Tiranë, kishte sistemuar familjen në një apartament në zonën e Pazarit të Ri.

Sadija, gruaja e tij, kujdesej për 3 djemtë dhe 2 vajzat, njëri prej të cilëve, Ardiani, u regjistrua në kolegjin turk.

Çdo mëngjes, Remziu dërgonte fillimisht djalin në shkollë dhe pas punës rikthehej për ta marrë sërish.

Kështu, dalëngadalë po kalonin ditët e para të jetës së re për familjen Hoxha.

Në Tiranë sapo kishte shpërthyer biznesi i kioskave, shtëpive të para luksoze dhe pallateve private, të cilat po përdornin materiale dhe teknika të reja ndërtimi.

Ku ndër më të kërkuarat, po bëheshin vetratat e duraluminit për dyer e dritare. I zhytur në punë, dalëngadalë kishte trokitur ora 13:30 e së shtunës së 21 tetorit.

Pas pak minutash, Remziut i duhej të shkonte për të marrë djalin në shkollë e për të pushuar për fundjavën e parë, pas shumë kohësh, së bashku me familjen.

Ndoshta këto ka qenë duke menduar 42-vjeçari, kur në atë moment, në punishten e tij ia ka behur një karvan me 3 makina.

Nga një “Volkswagen Golf”, tip i ri, ngjyrë ulliri, kanë zbritur disa persona, të cilët i kanë kërkuar që të shkojë me ta për një sqarim në polici.

Remzi Hoxha ka lënë punën dhe pa as më të voglin hezitim i ka ndjekur pas.

Vetëm pasi makina me targë TR 2449 C e shoqëruar nga një “Jeep” dhe “BMË”, janë larguar me shpejtësi, punonjësit e tij kanë kuptuar se ata ishin të gjithë civilë, me makina civile dhe nuk kishin paraqitur asnjë mandat zyrtar. Ose të paktën, ata nuk panë që “bosi” i tyre t‘ua verifikonte. Ndaj, menjëherë janë shqetësuar.

Pas 15 minutash, ata kanë vënë alarmin, duke lajmëruar Komisariatin Nr. 3 të Policisë, që ka nën juridiksion atë zonë. “Po. Dakord. Menjëherë jemi vënë në ndjekje të makinës me targën që na dhatë”, ka qenë përgjigjja nga ana “blu” e telefonit.

Minutat kalonin, ndërkohë që ishte vënë në dijeni edhe gruaja dhe fëmijët e Remziut. Pas 1 ore e 15 minutash, tri makinat e “rrëmbimit” janë rikthyer sërish në vendngjarje. Një moment i artë, që punëtorët të mos bënin sërish gabimin e parë. Njëri prej 3 “rrëmbyesve” ka treguar mandatin e një punonjësi të autorizuar. Ndaj ata kanë kërkuar menjëherë sqarime. Por, “ata na kërcënuan në mënyrën më të prerë dhe ekstreme të mundshme”, – thuhet në një letër të asaj kohe të punëtorëve të “Albatros”. Të cilët nuk mund ta merrnin me mend, se pluhuri i “karvanit” të makinave të rrëmbimit që u ngrit menjëherë pas kësaj, do të mbulonte në mënyrë enigmatike për shumë e shumë vjet, fatin e punëdhënësit të tyre.

Në atë kohë, për Remzi Hoxhën qarkullonin zëra se ishte arrestuar si agjent i UDB-së, si trafikant armësh, e deri si pjesëmarrës në atentatin kundër Presidentit të Maqedonisë, Kiro Gligorov.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu