Donald Trump ka bërë rikthimin më spektakolar në historinë politike të Shteteve të Bashkuara dhe jo vetëm. Rikthimi i tij qe pasojë e zhvillimeve ekonomike e politike të brendshme, por edhe ndërkombëtare. Këto të fundit janë të njohura për opinionin shqiptar, por pak është shkruar për zhvillimet e brendshme, të cilat përmes ideologjive ekstremisht të majta synonin të ndryshonin qenien e shoqërisë amerikane.
Pas zgjedhjeve të vitit 2020 të gjithë e konsideronin Trumpin politikisht të vdekur. Mediat nën kontrollin e demokratëve dita ditës raportonin për dënimet e shumta të pjesëmarrësve në trazirat e 6 janarit në Kapitol, ndërsa në publik askush s’guxonte t’ia përmendë emrin. Të njëjtat media nuk kërkonin burgosjen e protestuesve në Minesota e Portland, të cilët u vunë zjarrin bizneseve private, sulmuan policë dhe dogjën dhjetra makina policie pasi një polic i zu frymën afrikano-amerikanit George Floyd. Donald Trump vazhdonte të anatemohej aq shumë sa emri i ndërlidhej me Hitlerin. Por histeria e mediave të majta nuk do të përfundonte me zgjedhjet.
Tërheqja kaotike nga Afganistani as që u diskutua nga mediat pro-demokrate; e njëjta ndodhi kur miliona imigrantë ilegalë vërshuan kufirin jugor. Administrata e re me zell të jashtëzakonshëm i vazhdoi politikat e inxhinieringut social DEI (diversiteti, barazia, përfshirja), që i filloi Obama. Diskutimi mbi gjinitë inkurajohej në shkollat publike, madje u bë temë në foshnjore dhe klasat e ulta. Megjithëse flisnin për të drejtat e gruas, askush nuk shqetësohej që femrat s’mund të fitonin dot në sportet individuale sepse një transgjinor, i cili deklarohej femër, ngrinte më shumë pesha apo grushtonte më fort në boks. Në institucione u krijuan departamente të posaçme që punonjësit të edukohen mbi gjinitë e reja. Njerëzit s’dinin si t’i drejtohen të tjerëve nga droja se mund të fyenin bashkëbiseduesi(e)n. Disa kërkonin t’u drejtohen me përemrat vetorë ai/atë/atij kurse të tjerat me përemrat ajo/atë/asaj. Miliarda dollarë u shpenzuan në këtë revolucion kulturor.
Kjo rezultoi që nëpër disa shkolla banjot e vajzave të shfrytëzohen nga djemtë që ndihen femra. Si pasojë, më 28-VI-2021 në distriktin Loudoun në Virxhinian veriore një transgjinor dhunoi një nxënëse 14 vjeçare në banjon e shkollës. Vajza e raportoi incidentin por shkolla nuk ndërmorri gjë. Kur i ati* i vajzës dhe prindër të tjerë reaguan, prokurorja e distriktit** me origjinë shqiptare (e zgjedhur me dollarët e Sorosit), disa muaj nuk ndërmori asgjë. Përkundrazi, i ati i vajzës forcërisht u arrestua në shkollë pasi protestoi kundër politikave të DEI, për të cilat tha se janë shkaku kryesor i dhunimit të së bijës. Në fund, gjykatësi i distriktit e largoi prokuroren demokrate shqiptare me justifikimin e „shqetësimeve për mungesë paanshmërie“***.
Sikur politikat gjinore, inflacioni i lartë dhe rritja e çmimeve të mos mjaftonin, demokratët papritur iu rikthyen temës së preferuar – Trumpit. Në mediat e majta u riaktualizuan historitë e vjetra të blerjes së heshtjes së aktores për të rritur, ngacmimit të një shkrimtareje në dyqan, dhe deklarimit të vlerës joreale të pasurisë së tij. Kjo mbase qe mënyra më e mirë për të shmangur vëmendjen nga ekonomia, nga gjendja jo e kënaqshme shëndetësore e presidentit Biden, dhe nga shumat marramendëse që derdheshin në Ukrainë. Donald Trumpi sërish u bë kryelajm dhe temë boshte e fushatës së demokratëve. Prokurori i posaçëm Jack Smith**** erdhi nga Haga që ta përndjekë për ngjarjet e 6 janarit 2020. Prokurori i Sorosit Alvin Bragg i ngriti dhjetra aktpadi në Njujork, dhe juria e shpalli fajtor për të gjitha 34 pikat e aktakuzës. Spektakli Trump do të vazhdonte me tërë intensitetin edhe pas zgjedhjeve.*****
E tillë ishte atmosfera kur Trump vendosi të rikandidojë për postin e presidentit. Ishte e qartë se kundërshtarët donin jo vetëm ta shkatërrojnë financiarisht, por mund të përfundonte në burg, ndaj vlerësoi se vetëm presidenca mund ta shpëtonte. Sa më të ashpra bëheshin sulmet ndaj tij, aq më shumë edhe opinioni ripozicionohej. Përndjekja e Trumpit e elektrizoi elektoratin e djathtë. Kur e panë disponimin e votuesve, rivalët e tij u tërhoqën nga gara dhe u rreshtuan pas ish presidentit. Trump filloi publikisht të premtojë se do t’i falë të dënuarit e 6 janarit. Biden gjithashtu disa herë pat premtuar se nuk do t’a falte të birin.
Në taborrin demokrat Joe Biden ua hodhi zgjedhjeve partiake pa debate e pa votime, kurse kundërkandidati Robert Kenedi u eliminua me pengesa burokratike. Kjo fazë u krye me sukses, por pas dështimit në debatin televiziv Biden u përball me thirrjet e demokratëve për t’a braktisur garën. Nancy Pelosi dhe të tjerët e detyruan të largohet dhe e zëvendësuan me kandidaten më të dobët të mundshme brenda llojit, e cila mund të kontrabandohej vetëm pa zgjedhje partiake. Pas kësaj filluan sondazhet se Harris ka epërsi të madhe dhe do të fitojë bindshëm. Trump vazhdoi të cilësohej kërcënim ekzistencial për vendin dhe demokracinë. Kjo klimë e demonizimit i parapriu atentatit të parë në Pensilvani, ku autori ndoshta mendoi se duke vrarë Trumpin do t’a shpëtonte Amerikën. Historitë e këtilla vazhduan gjer më 5 nëntor, kur u pa se ishin të kota. Ngadhnjeu miliarderi, i cili ua vinte veshin halleve të amerikanëve, ndërsa ajo që portretizohej ndryshe nga ç’ishte dështoi keq, bashkë me elitat që e mbështesnin.
Rikthimi i presidentit Trump tregoi qartë se amerikanët dinë të bëjnë dallimin kur hedhin votën. Rezultati i zgjedhjeve është pasojë e gjendjes së ekonomisë, i kulturës së shtypjes së lirisë së shprehjes, të cilën liberalët e promovonin ku të mbërrinin, si dhe i eksperimenteve sociale që e majta përpiqej t’ua impononte të tjerëve. Kur më 2020 Tweeter e bllokoi Trumpin, mbështetësi i deridjeshëm i demokratëve Elon Musk e bleu platformën dhe e riktheu Trumpin. Në vendin ku liria e shprehjes është garantuar me kushtetutë, disa raste përfunduan në gjykatë. ABC u detyrua t’i paguajë Trumpit 15 milionë dollarë për shpifje kurse Meta e dëmshpërbleu me 25 milionë dollarë sepse ia bllokoi llogarinë në Facebook. Pas zgjedhjeve, Mark Zuckenberg dhe miliarderët tjerë që financonin dhe mbështesnin demokratët, nxituan t’i përkulen presidentit të ri.
Fitorja e presidentit Trump në 2016 ishte rezultat i politikave të Obamës, ndërsa rikthimi i tij në 2024 qe pasojë e politikave të administratës Biden. Amerikanët e dinin se këtë herë votojnë për njeriun, të cilin juria e shpalli fajtor për 34 pikat e aktakuzës. Por ata gjithashtu e dinin se me politikat e tij mund t’ia dilnin më lehtë. Kur presidenti thotë se nga sot qeveria do të njohë vetëm dy gjini, atëherë shpjegimet janë të tepërta për të pasqyruar gjendjen në të cilën ndodhet një shoqëri. Jo veç që mbështetën republikanët, amerikanët më shumë u distancuan nga demokratët.
Shënim:
*Familja e viktimës ka ngritur padi kundër bordit të shkollës në vlerë prej 30 milionë dollarë.
Sexual assault victim files $30M lawsuit against Loudoun Co. school board – WTOP News
**Prokurore shqiptare, fushatën e së cilës e financoi Sorosi me 500.000 dollarë. Prokurorja demokrate nga Mali i Zi (B.B.) nuk u rizgjodh në zgjedhjet e nëntorit 2023 përkundër zemërgjerësisë së Sorosit, i cili e dyfishoi kontributin në 1.000.000 dollarë. Mediat lokale të distriktit Loudoun kanë thënë se prokurorja e majtë ka shfaqur tolerancë të lartë ndaj krimit. Në zgjedhjet e 5 nëntorit 2024 dështuan edhe shumica e prokurorëve të financuar nga Sorosi.
Judge removes DA from case of dad whose daughter was raped by trans boy at school | Daily Mail Online
*** George Soros njihet për mbështetjen publike ndaj kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili Trumpin e quante „turpi i civilizimit“ (Washington Post, 19.7.2016), dhe sot përpiqet përmes Giorgia Melonit apo dhënies së territoreve të fitojë simpatinë e presidentit Trump. Rama është i njohur për opinionin amerikan. Në 2012, Bilal Shehu, një shofer nga Nju Xhersi, pranoi 80.000 dollarë nga jashtë dhe ia dha fushatës së presidentit Obama që të marrë pjesë në një darkë në San Francisco. Pasi pranoi dy ftesa, në vend të gruas Shehu mori Edi Ramën. Zyrtarët federalë thanë se fotografia e Ramës me presidentin Obama bëri ai t’i fitojë zgjedhjet në Shqipëri. Bilal Shehu u dënua një vit me kusht. William Argeros nga Florida pranoi se i kishte transferuar Shehut 80.000 dollarë. Argeros u dënua me katër muaj burg shtëpiak dhe punë në komunitet. Avokati i tij tha se Argeros ka vepruar në emër të kandidatit Edi Rama, i cili ka dashur një fotografi me Obamën.
Obscure case involving Obama, NJ limo driver sends shockwaves through Albania | Fox News
Obama donor pleads guilty in foreign donation scheme – POLITICO
****Jack Smith, ish prokuror i Gjykatës Speciale në Hagë që ngriti aktakuzë kundër ish udhëheqësve të UÇK-së.
How Jack Smith charged Kosovo’s president and blew up a Trump meeting – Kosovo Online
*****Një javë para inaugurimit, Trump u shpall fajtor për pagesën e yllit të filmave pornografikë, por nuk u dënua. Jack Smith i pezulloi hetimet ndaj presidentit Trump.
Highlights: Judge sentences Trump to ‘unconditional discharge’ in hush money case
Trump Criminal Cases End After Jack Smith Drops Charges/ina