Përsëri protestë në Tiranë kundër importit të plehrave

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, qytetarë dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit kanë organizuar sot përsëri një protestë në Tiranë për të kundërshtuar ndryshimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit fillimisht janë mbledhur pranë Parkut “Rinia”, ndërsa më pas kanë marshuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u ndaluar përpara godinës së Këshillit të Ministrave.

Gjatë protestës aktivistët kanë mbajtur fjalime duke kundërshtuar miratimin e ndryshimeve ligjore për importimin e mbetjeve në territorin e Shqipërisë. Gjithashtu ata i kanë kërkuar presidentit të vendit, Bujar Nishani, që mos ta dekretojë ligjin e ndryshuar.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur miratimin e një ligji të tillë, duke u shprehur se është i domosdoshëm dhe tërësisht konform ambicieve të vendit për një Shqipëri të pastër.

Më 22 shtator të këtij viti Kuvendi i Shqipërisë, miratoi ndryshimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”

Sipas ndryshimeve të reja, në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet e ngurta jo të rrezikshme, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme, që përdoren nga industria.

Në ligj është vendosur se organizatat e shoqërisë civile kanë të drejtën e monitorimit në pikat doganore të caktuara për kontrollin dhe zhdoganimin e mbetjeve.

Por nga ana tjetër shoqëria civile kërkon ndalimin e importimit e mbetjeve në Shqipëri, me arsyetimin se kjo nismë nuk kontribuon për ekonominë e vendit dhe shkakton ndotjen e mjedisit pavarësisht mekanizmave të kontrollit në pikat kufitare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu