Përshkallëzohet edhe më tej situata, Hezbollahu sulmon Tel Avivin me raketë balistike

Hezbollahu e ka hedhur një raketë balistike drejt Tel Avivit të mërkurën në mëngjes, duke e përshkallëzuar edhe më tej situatën, një ditë pasi ushtria izraelite e bombardoi Libanin duke vrarë qindra njerëz dhe militantët hodhën raketa në veri të Izraelit.

Ushtria izraelite tha se e ndaloi raketë balistike tokë-tokë, e cila aktivizoi sirenat për sulme ajrore në Tel Aviv dhe përgjatë Izraelit qendror. Ajo tha se nuk u raportua për viktima apo dëme.

Ajo tha se u përgjigj duke goditur vendin nga ky u shkrep kjo raketë në jug të Libanit.

Hezbollahu – grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – tha se e shkrepi një raketë balistike Qader 1 në drejtim të selisë qendrore të agjencisë së inteligjencës së Izraelit, Mosad.

Ky grup i mbështetur nga Irani e fajëson Mosadin për sulmet e javës së kaluar gjatë të cilave bomba e fshehura në pajisje komunikimi, pejxherë dhe radiolidhje, shpërthyen duke vrarë dhjetëra njerëz dhe plagosur mijëra të tjerë, përfshirë pjesëtarë të Hezbollahut.

Ushtria izraelite tha se kjo ishte hera e parë që një raketë balistike e shkrepur nga toka libaneze arrin në Izraelin qendror.

Ky sulm i ka rritur edhe më shumë tensionet në Lindjen e Mesme, e cila po shkon drejt një lufte të përgjithshme, edhe pse Izraeli po vazhdon të luftojë kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – në Rripin e Gazës.

Së paku 560 njerëz u vranë në Liban dhe mijëra të tjerë u detyruan të shpërngulen nga shtëpitë e tyre si pasojë e një vale bombardimesh izraelite të hënën dhe të martën.

Banorët kanë ikur nga jugu i Libanit, duke u grumbulluar në Bejrut dhe në qytetin bregdetar Sidon, ku flenë në shkolla të shndërruara në strehimore, si dhe nëpër vetura, parqe dhe plazhe. Disa prej tyre u përpoqën të ikin nga vendi, duke shkaktuar rrëmujë në trafik në kufi me Sirinë.

Ushtria izraelite ka thënë se nuk ka synime tani për tani për të kryer inkursion tokësor në Liban.

Tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut janë përshkallëzuar vazhdimisht në 11 muajt e fundit. Hezbollahu ka hedhur raketa dhe ka lëshuar dronë në veri të Izraelit vazhdimisht në mbështetje të palestinezëve në Gazë dhe të aleatit të vet, Hamas.

Izraeli është përgjigjur me bombardime të ashpra dhe duke ia vrarë komandantët e lartë grupit militant.

Luftimet gati njëvjetor mes Hezbollahut dhe Izraelit i kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të shpërngulen nga të dyja anët e kufirit. Izraeli është zotuar se do të bëjë gjithçka për të garantuar kthimin e sigurt të të zhvendosurve në veri të vendit, derisa Hezbollahu ka thënë se do të vazhdojë të shkrepë raketa derisa të arrihet një armëpushim në Gazë, diçka që duket jo fort e arritshme.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka thirrur takim emergjent për Libanin për të mërkurën, me kërkesë të Francës./REL


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu