Gazetari nga Kosova, Xhevdet Pozhari, i ka adresuar një sërë pyetjesh kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit, duke e pyetur atë për shumë çështje të pazgjidhura për shqiptarët në Maqedoni. Duke iu kundërpërgjigjur fjalëve të Ahmetit, i cili kritikoi partitë opozitare se nuk kanë qenë askund para 15 viteve, Pozhari vlerëson se përgjigjen më të mirë, Ahmeti do ta merr nga po të njëjtit ata që sot nuk e durojnë llojin e këtillë të politikanit. Ja edhe postimi i tij i plotë:
“Ali Ahmeti pyet ku ishit para 15 viteve! Çfarë bëre ti zotëri këto 15 vite?
Çfarë bëre që ta ndalësh boshatisjen e Maqedonisë nga rinia shqiptare? Çfarë bëre që t’i ndalësh proceset e montuara gjyqësore “Monstra”, “Sopoti”? Çfarë bëre që ta ndalësh Kumanovën? Çfarë bëre që ta ndalësh deshqiptarizimin e Shkupit, përmendoret 500 milion eurosh të Gruevskit..enciklopedinë? Edhe sa herë do ta premtosh zyrtarizimin e gjuhës shqipe? Si do t’i mbulosh aferrat korruptive të zyrtarëve të lartë të BDI-së që u dëgjuan gjithandej nëpër përgjime? Çfarë do t’ju thuash bashkëluftëtarëve të tu që dergjen nëpër burgje? Çfarë porosie do të kesh për familjarët e ushtarëve të vrarë pas 2001-shit? Po ministrat e tu kur u përkulen me nderime “branitellave”? Si do ta arsyetosh partizimin e universiteteve, shkatërrimin e arsimit? Po, Tetova pse lejove të helmohet? …ka edhe shumë “pyetje” përgjigjen e së cilave do t’i japin ata që para 15 viteve ishin fëmijë, por sot nuk e durojnë sojin tënd t’i përfaqësojë edhe më tutje.”