Pritet një bebe: disa këshilla për të evituar xhelozinë e fëmijës më të madh

Xhelozia e fëmijës mund të shfaqet mbi të gjitha kur pritet ardhja e një vëllai ose një motre. Ta bësh fëmijën më të madh të ndjehet pjesë e familjes dhe në këto rrethana nuk është absolutisht e lehtë, edhe pse rrethohet nga shumë ngrohtësi dhe dashuri. Ndaj dhe duhet të përpiqemi që fëmija të përfshihet për ta përgatitur për këtë ngjarje nëpërmjet libërthave të vegjël, diskutime të lezeçme apo procesit të blerjes së gjërave të bebes. E megjithatë jo gjithmonë gjërat shkojnë mirë dhe rrjedhimisht prindërit nuk dinë se si t’ja bëjnë me xhelozinë.

Të vegjlit përgjithësisht duan të jenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes dhe nuk përjashtohet mundësia që ata ta shfaqin xhelozinë edhe përpara prindërve. Mbërritja e një bebeje në shtëpi mund të sjellë një tronditje të gjendjes shpirtërore të fëmijës më të madh, sidomos gjatë muajve të parë kur i sapolinduri ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe është qëndra e vëmendjes jo vetëm e nënës dhe babait, por edhe e të afërmve dhe miqve. Ajo që duhet bërë mbi të gjitha është të mos ndryshoni zakonet e përditshme të fëmijës së parë sepse kjo do ia bëjë më të rëndë peshën e bebes së sapordhur.

Edhe pse xhelozia e fëmijës mund të jetë e ndjeshme, e shfaqur me agresivitet dhe humor të keq, duhet që patjetër të ndiqni disa strategji të thjeshta. Në vend që t’i mohoni fëmijës mundësinë për të luajtur e për të vrapuar nëpër shtëpi, sepse vëllai apo motra po flenë, mjafton t’i shpini për të luajtur në parkun që keni më afër shtëpisë në mënyrë që ai të argëtohet dhe ta nxjerrë gjithë energjinë. Për të qetësuar situatën është mirë që fëmijën e madh ta përfshini në shumë nga aktivitetet që kanë të bëjnë me të voglin, si përshembull bërja e banjos apo ushqimi dhe ndërrimi i pelenave, duke i thënë që ndihma e tij është shumë e nevojshme për ju. Për ta lehtësuar këtë ndjenjë xhelozie është thelbësore që mami dhe babi të kalojnë sa më shumë kohë vetëm me të, pa praninë e më të voglit.

Eshtë e këshillueshmë ta nxirni për të ngrënë një akullore së bashku, për të shkuar në parkun e lodrave apo të merrni pjesë në lojëra formuese me të, apo thjesht të shfletoni fotografitë e familjes dhe ato ku ai ka qenë i vogël. Duhet shmangur lënia e fëmijëve më të mëdhenj tek gjyshërit, sepse vetëm prania dhe dashuria e përhershme e prindërve janë çelësi për të përballuar xhelozitë e mundshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu