Profili i Lulzim Hazirit, anëtari i 5-të i Komisionit ad-hoc

Portalb ka siguruar një biografi të shkurtër të Lulzim Hazirit, anëtarit të 5-të të Komisionit ad hoc për mbikëqyrjen e mediave 100 ditë para zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

Kush është Lulzim Haziri?

Lulzim Haziri është lindur në fshatin Reçan të Gostivarit. Shkollën fillore dhe të mesme e ka mbaruar në Gostivar, ndërkaq studimet i ka kryer në Prishtinë pranë Fakultetit të Makinerisë.

Haziri është korrespodent i RTVM-së, programi në gjuhën shqipe. Ka qenë korrespondent në Zërin Ditor, Radio Kosova – Programi i dytë, Rilindja dhe Bujku. Për pesë vite ka punuar edhe në të përditshmen kosovare, Bota Sot.

Lulzim Haziri është aktiv edhe me organizatën jo qeveritare ADI, ku është aktiv në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Ai ka të botuar edhe disa libra. Përmbledhjen e parë poetike “Kënga lind vetmi”, ka botuar më vitin 1989. Përmbledhja e dytë poetike që titullohet “Kur dyert hapen me zile” (1995), ndërkaq më 2005 boton librin “Dalja nga safari”, gjithashtu me poezi.

Përveç poezisë Lulzim Haziri ka të botuar edhe libra me tregime, ese dhe me shkrime publicistike.  Disa nga këto shkrime i ka përfshirë në librat publicistikë “Rokenrolli shqiptar!” (2000) dhe “Bardhë e zi” (2010), në të cilat shqyrton sintezat muzikore mes rokenrollit dhe muzikës popullore dhe artit popullor në përgjithësi.

Ky Komision cilësohet si organ kyç për t’i dhënë vlerësimin e duhur tentativave mediatike për të manipuluar me popullin gjatë procesit parazgjedhor, prandaj edhe me shumë bujë u përcoll formimi i po të njëjtit komision.

Pas zyrtarizmit të formimit të grupit që do të jetë pjesë përbërëse e Komisionit. Haziri u zotua se me përvojën që ka do t’i ndihmojë qëllimit të këtij Komisioni.

“Unë sot, pas vlerësimit të djeshëm nga liderët partiak, mora edhe pëlqimin e anëtarëve të Komisionit. Besoj që prezenca ime, me përvojë edhe në media edhe në sektorin civil do të jetë një ndihmesë për krijimin e një atmosfere pozitive brenda Komisionit”, theksoi Haziri, raporton Portalb.

I pyetur nëse ka aplikuar më parë për të qenë pjesë e Komisionit, Haziri ka deklaruar se nuk ka konkuruar.

“Si duket unë kam qenë zgjedhja më e pranueshme në mesin e liderëve politik. Nuk e di nga kush jam propozuar. Por i njëjti më bën nder mua dhe punës sime të deritashme. Do të shohim se çfarë metodologjie do të praktikojmë. Vlerësoj se gjendja me mediat nuk kërkon vetëm 100 ditë, duhen më shumë ditë për ta vlerësuar”, përfundoi ai.

Komisioni ad hoc është trup që u formua me konsensuse të partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos; BDI, PDSH, LSDM dhe VMRO-DPMNE, me qëllim mbikëqyrjen e mediave 100 ditë para zgjedhjeve. Komisioni përbëhet nga 5 anëtarë, dy të propozuar nga LSDM: Goran Tërpenovski dhe Lubomir Kostovski, dy nga VMRO-DPMNE: Sllagjana Dimishkova dhe Cvetin Çilimanov, si dhe anëtari i pestë që duhej të ishte shqiptar, sipas marrëveshjes mes partive, u zgjodh Lulzim Haziri./infoshqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu