Projekti i lumit Sushica në Kërçovë nuk u realizua! Dehari: Projekti ngeci për shkak punimeve të kanalizimit të Zajazit

“Ndodhemi në Lumin Sushica në Kërçovë, ky lum do të duhej të duket kështu”, raporton Salije Sadiki. Por në fakt është kështu. Është vendosur vetëm ndriçimi rrugor dhe disa drita të gjelbra që i japin pamje pak më ndryshe. Nuk ka as shtigje biçikletash, as shëtitore, e as ulëse siç ishte premtuar në vitin 2017 nga kryetari i Komunës Fatmir Dehari.

Ky lum kalon përmes qytetit të Kërçovës dhe një projekt i tillë i realizuar do t’i jepte një pamje krejtësisht tjetër qytetit, por që ende nuk ka asgjë nga ky premtim edhe pse kanë kaluar 7 vite që kur është premtuar. Në vitin 2020 Fatmir Dehari, kryetar i Komunës së Kërçovës, i tha TV21 se ka pasur pengesa procedurale dhe administrative gjatë hartimit të projektit të Lumit.

Tani Dehari thotë se ky projekt nuk mund të realizohet për momentin për shkak të punimeve të kanalizimit i cili vjen nga Zajazi e deri në Drugovë.

“Në këtë rast për Lumin Sushica ju tanimë e keni parë pjesën e ndriçimit publik ka marrë një pamje krejtësisht tjetër. Jo vetëm në aspektin estetik por edhe atë të sigurisë, meqë në orët e mbrëmjes lirisht qarkullojmë në ato pjesë të cilat ju kemi mundësuar, duke mirëmbajtur atë ndërtim të deritashëm. Dhe nuk arrijmë të realizojmë një nga projektet që mund ta them unë e kam pasur edhe një lloj ëndrre, për një arsye tanimë të njohur, kanalizimi i cili ka ndërprerë punimet. Kanalizimi i qytetit të Kërçovës dhe fshatrave të Zajazit të vendbanimeve të cilat ishin të përfshira në atë projekt dhe një nga gypat kryesor, pra brenda qytetit, kalon përmes shtratit të këtij Lumi dhe kjo na pamundësoi që ne të marrim hapa konkret në realizimin e këtij projekti”, tha Fatmir Dehari, kryetar i komunës së Kërçovës.

Dehari thotë se nuk do të heqin dorë nga ky projekt. Kujtojmë se bashkë me ndërtimin e lumit Sushica u premtua edhe ndërtimi i parkimit nëntokësorë në këtë komunë, por as i nuk u bë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu